0Herët në mëngjesin e datës 19 nëntor të vitit 1942 mijëra armë të artilerisë së Ushtrisë së Kuqe filluan të vjellin zjarr me breshëri mbi pozicionet e armikut. Kështu nisi kundërofensiva. Për disa ditë trupat sovjetike e mbyllën unazën e rrethimit. Brenda saj, të mbërthyer në unazë të hekurt, u ndodhën 330.000 ushtarë, oficerë dhe gjeneralë të ushtrisë së Hitlerit. Gjatë tre muajve të ardhshëm pasuan luftime të ashpra, por të gjitha përpjekjet e gjermanëve për t'a çarë atë dolën të pasuksesshme.

Galeria fotografike: 70 vjet më parë filloi beteja nën Stalingrad

Ky operacion në bregun e majtë të lumit Vollga, i pagëzuar me emrin "Urani", u përgatit me skrupolozitet të madh për plot dy muaj rresht. Nën Stalingradin e rrethuar, në kushte tepër sekrete konspiracioni, filluan të hidhen me shpejtësi përforcimet nga Siberia Perëndimore. Kështu atje u krijua një grupim shumë i fuqishëm sulmues.

Kundërofensivën e paraprinë muaj të tërë luftimesh të ashpra. Trupat e Rajhut të Tretë në mes të korrikut filluan të avancojnë në drejtim të Stalingradit dhe ishin mëse të bindura se aty nga gushti qyteti do të bjerë, duke u hapur atyre rrugën për në rajonet e naftës të Kaukazit. Por ato u ballafaquan me një qëndresë të paparë, të papritur nga ana e mbrojtësve të qytetit, të cilët bënin rezistencë për jetë a vdekje.

Historianët e quajnë këtë moment me rëndësi kthese rrënjësore në ecurinë e gjithë Luftës së Dytë Botërore. Për makinën gjermane të luftës, e cila deri në atë kohë kishte nënshtruar e robëruar pa ndonjë sforcim të madh pothuajse të gjithë Europën, kjo ishte një goditje me të vërtetë shpartalluese, nga e cila ajo nuk mundi ta marrë më dot veten.

Pjesëmarrësit e mbrojtjes kujtojnë, se si kalonte herë nën kontrollin e njërës palë kundërshtare e herë nën kontrollin e tjetrës Mamajev Kurgan (Kodrina Mamajev - russ. Мамаев Курган), se si zhvilloheshin luftime të ashpra për çdo rrugë, për çdo shtëpi. E gjithë bota me zemër të ngrirë ndiqte me vemendje të përqendruar këtë konfrontim të pashembullt pranë brigjeve të lumit Vollga. Nga përfundimi i tij varej fati i gjithë njerëzimit. Mbrojtësit e Stalingradit arritën të mbrojnë jo vetëm qytetin, ata shpëtuan gjithë Evropën dhe mbarë botën nga murtaja naziste. Disfata e forcave naziste nën Stalingrad i shërbeu aktivizimit të ndjeshëm të lëvizjes së rezistencës në Evropë.

0Beteja e Stalingradit, e cila në total zgjati 200 ditë e net, ishte beteja më e përgjakshme dhe me përmasa më të mëdha në historinë e njerëzimit. Gjatë luftimeve për mbrojtjen e qytetit u vranë dhe u plagosën gati një milion ushtarë dhe oficerë sovjetikë. Ushtria e bllokut fashist humbi nën Stalingrad rreth 1/4 e forcave të veta që vepronin në frontin e luftës sovjetiko-gjermane.