0Qëllimi i misionit të Hisham Kandil është ndërmarrja e përpjekjes për të bindur Hamas-in që të rreshtë sulmet me raketa mbi territorin e Izraelit me qëllim të shmangies së intervencionit ushtarak dhe përshkallëzimit të rrezikshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan e konsideron Kajron kanalin kryesor përçues në procesin e bisedimeve me Lëvizjen Hamas. Njëkohësisht, SHBA, Londra, Parisi dhe Berlini e këshillojnë në mënyrë këmbëngulëse Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu të mos shkojë në veprimet e veta "përtej caqeve të mjaftueshmërisë së arsyeshme".

Moska është tejet e shqetësuar nga përshkallëzimi i theksuar i krizës aktuale dhe u bën thirrje të dyja palëve konfliktuese për të arritur mes tyre një armëpushim, deklaroi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov:

- Gjithçka që po ndodh sot në rajon, në territoret palestineze, ne na shqetëson tej mase. Ne mendojmë se duhet të ndalojë menjëherë çdo formë e shfaqjes së dhunës atje.

Me goditjet që po jep mbi militantët palestinezë Izraeli synon ta detyrojë Hamas-in të pranojë vendosjen e një armëpushimi afatgjatë. Por këtë qëllim ai dhe mund të mos e arrijë dot, thotë analisti i njohur ushtarak izraelit Andre Kozhinov:

- Sa më fort e godet Izraeli krahun ushtarak të Hamas-it, aq më shumë përforcon ai me këtë grupet radikale në Rripin e Gazës. Ironia e fatit konsiston në faktin, se gjatë viteve të fundit pikërisht Hamas-i është bërë forcë e fuqishme frenuese kundër xhihadistëve të të gjitha ngjyrave, duke përfshirë edhe xhihadistët e kallëpit të “Al-Qaeda-s”: Hamas-i kishte në duart e veta pushtetin dhe ishte i interesuar për sigurimin e një jetë relativisht normale për popullsinë.

"Lufta e re palestineze", përveç të tjerash, do të përziejë të gjitha kartat në "lojën e madhe siriane". Ajo do të frenojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe monarkive të naftës të Gadishullit Arabik, që synojnë të arrijnë me çfarëdo lloj çmimi përmbysjen e regjimit të Presidentit Bashar Al-Assad në Siri. Nëqoftëse armiku kryesor i arabëve, Izraeli, do të fillojë operacionet aktive ushtarake, atëhere vemendja do të shpërqendrohet pas kësaj nga Siria.

0Detyra më e vështirë qëndron tani përpara Presidentit amerikan. Të heqë dorë nga mbështetja e Izraelit, aleatit të vet kryesor në Lindjen e Mesme, ai, sigurisht, as që ka ndërmend. Por edhe të ushtrojë presion të fortë mbi Presidentin egjiptian Mohammad Mursi Uashingtoni nuk mundet: çdo ndikim, shtypje e tepruar do të çojë në radikalizimin e mëtejshëm të qeverisë së re të Kajros edhe kështu fort të islamizuar. Pasojë e kësaj mund të bëhet shfuqizimi i Traktatit egjiptiano-izraelit të Paqes të vitit 1979. I gjithë problemi tani konsiston në atë, nëse do të dijë Obama të ruajë ekuilibrin e nevojshëm në Lindjen e Mesme.