0Sipas njoftimeve të anëtarëve të ekuipazhit tokësor të "Curiosity", janë marrë tashmë shumë të dhëna që duhet t’i nënshtrohen përpunimit. Njoftimi tingëlloi në mënyrë disi intriguese: "për të kuptuar më mirë se çfarë kemi mësuar tani, ne planifikojmë të marrim disa mostra suplementare". Detaje të tjera nuk ka.

Dheu i marrë nga sipërfaqja e Planetit të Kuq është studiuar nga dy aparate. I pari, dhe ndoshta më i rëndësishmi në Mars rover, është analizatori i mostrave (SAM). Ai realizon gjysmën e gjithë ngarkesës së punës shkencore. Detyrë e analizatorit është zbulimi i pranisë së komponimeve organike. Kurse i dyti - CheMin - është i drejtuar për evidentimin e përbërjes kimike dhe mineralogjike.

Shkencëtarët paralajmërojnë: zbulimi i mundshëm i komponimeve organike në Mars nuk do të thotë se kjo është dëshmi e padiskutueshme e gjurmëve të jetës në planet. Siç shprehet biologia e Universitetit Shtetëror të Moskës (MGU) “Lomonosov” Elena Vorobjova, komponimet organike janë identifikuar me anë të metodës spektrale madje dhe në planetin e Plutonit.

- Komponimet organike janë nga më të ndryshmet. Ekzistojnë komponimet aromatike që nuk janë të lidhura në kurrfarë mënyre me jetën. Të tilla janë gjetur shumë në kozmos. Ka madje dhe komponime organike specifike, të lidhura në njëfarë mënyre me jetën. Përbërja e elementeve nuk jep ende përgjigje për këtë. Në bordin e Mars rover "Curiosity" janë instaluar pajisje të afta për të ofruar analiza të sakta jo vetëm të elementeve por dhe kombinimeve të tyre. Nëse analizat do të evidentojnë prezencën e komponimeve organike specifike të lidhura me jetën, atëhere ky do të jetë një rezultat inkurajues, madje mjaft shpresëdhënës.

"Curiosity" nuk po kërkon aspak shenja të jetës në Mars, siç konfirmojnë gabimisht agjencitë e lajmeve. Detyrë e tij është të përcaktojë nëse kanë ekzistuar ndonjëherë në Mars kushtet e duhura për veprimtarinë jetësore të mikroorganizmave. Është e rëndësishme të sqarohet gjithashtu se çfarë roli ka luajtur uji në këtë gjë dhe se nga ka ardhur në Planetin e Kuq metani, i cili është i pranishëm në atmosferën marsiane në sasi të vogla, vazhdon Elena Vorobjova.

- Ky është një prej shënuesve (markerave) biologjikë: metani, si rregull, formohet gjatë procesit të jetës, por mund të krijohet edhe jashtë kushteve të veprimtarisë jetësore, në mënyra të tjera. Prandaj nuk mund të jepen garanci 100% edhe nëse zbulohet prania e metanit. Megjithatë, ky do të ishte rezultat që do të mundësonte dërgimin në të ardhmen në këtë planet të një misioni shumë më konkret astro-biologjik.

0Misioni thjesht astro-biologjik është dërguar në Mars që në mes të viteve 1970. Aparatet "Viking" kanë kërkuar atëhere atje gjurmët e jetës dhe përftuan rezultate të përziera, jo të njëkuptimshme, duhet thënë. Sipas fjalëve të Elena Vorobjova-s, rezultatet e një të kaluareje 35-vjeçare kanë marrë kohët e fundit një interpretim të ri shkencor, duke konfirmuar mundësinë e jetës në tokën marsian. Tani nevojitet vetëm një studim më i hollësishëm i përbërjes së saj, gjë me të cilën dhe po merret tani Mars rover "Curiosity". Për zbulimin e të fshehtave të përbërjes kimike të Marsit aparatit robotik i janë dhënë 23 muaj kohë.