0Në botë numërohen më shumë se 360 milionë njerëz me lloje të ndryshme të diabetit. Në Rusi me këtë diagnozë janë regjistruar 3.5 milionë vetë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të ekspertëve, në fakt, numri i të prekurve nga kjo sëmundje mund të jetë shumë më i lartë. Thjesht jo të gjithë janë në dijeni për sëmundjen e tyre.

Shqetësim te mjekët shkakton ekspansioni i diabetit të tipit të dytë, karakteristik për vendet me nivel të lartë jetese. Kjo sëmundje prek zakonisht grupmoshën mbi 40 vjet, njerëzit të cilët janë të dhënë pas ushqimit me kalori të lartë, lëvizin pak, domethënë shtojnë peshë të tepërt trupore. Por më e keqja është se diabeti i tipit të dytë është rinuar - ai po prek gjithnjë e më shpesh adoleshentët, të cilët abuzojnë me ushqimin e shpejtë (fastfood).

Mjekët konsiderojnë si arritjen e tyre kryesore faktin se ata mundën të lehtësojnë jetën e pacientëve me llojin e parë të diabetit. Nga kjo sëmundje njerëzit vuajnë që në fëmijëri. Pacientët janë të detyruar të marrin vazhdimisht insulinë, e cila ul nivelin e glukozës në gjak. Më parë, fëmijët me këtë diagnozë kur arrinin moshën e pjekurisë klasifikoheshin në grupin e njerëzve me aftësi të kufizuara (invalidë). Tani ata mund të jetojnë një jetë plotësisht normale, thotë Kryetarja e Shoqatës ruse të diabetit Valentina Peterkova:

- Gjatë 20 viteve të fundit diabeti ka ndryshuar dukshëm. Tani ne nuk vërejmë komplikacionet që haseshin më parë. Kjo ka ndryshuar, së pari, falë programit të qeverisë - tani të gjithë fëmijët marrin preparatet më të mira të insulinës  në botë. Dhe, së dyti, nëpërmjet shkollave të vetëkontrollit, të cilat janë krijuar në vend, në saje të sistemit të përkujdesit ndaj pacientëve.

Mjete të reja për trajtimin e diabetit ka shumë. Tani ekspertët i lidhin shpresat me studimet e transplantimit të qelizave beta të pankreasit. Janë pikërisht këto qeliza që prodhojnë insulinën, ndërsa shkatërrimi i tyre shkakton deficitin e insulinës. Ekziston edhe preparati i ri "insulina e mençur". Ai rregullon faktikisht nivelin e insulinës në organizmin e njeriut. Për pacientët rusë qeveria dhe organizatat bamirëse blejnë të ashtuquajturat pompa të insulinës. Këto janë pajisje portative të cilat furnizojnë automatikisht organizmin me insulinë. Pajisje të tilla kushtojnë mesatarisht 100 mijë rubla (pak më shumë se tre mijë dollarë).

0Është, sigurisht, e parakohshme të flitet për një revolucion të vërtetë në trajtimin e diabetit. Duhet thjesht t’u sigurohen pacientëve të gjitha llojet e ndihmës që tashmë e kanë provuar efikasitetin e tyre dhe të ndihmohen diabetikët të bëjnë një jetë normale, konkludojnë ekspertët.