48 vjeçari Thierry Tilly, i cili ka terrorizuar një familje aristokratësh francezë me komplotin e masonëve dhe që i ka marrë anëtarëve të saj rreth 4.5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit e ushtrimit të presionit, u dënua me tetë vjet burg. Gjykata e shpalli atë fajtor për heqje lirie të paligjshme dhe abuzim me dobësitë psikologjike të njerëzve të pambrojtur. Bashkëpunëtori i tij Jacques Gonzalez u dënua me 4 vjet.

Tilly arriti të bindë tre breza të aristokratëve francezë De Vedrines se jeta e tyre ishte në rrezik, për shkak të një komploti masonik, dhe i detyroi ata të marrin arratinë në Oksford e të shesin pjesën më të madhe të pasurisë së tyre. Ai hiqej si një agjent sekret i NATO-s dhe si person i besuar i presidentëve.

Mashtrimi zgjati gati 10 vjet. Nën ndikimin e Tilly u ndodhën 11 anëtarë të familjes De Vedrines. Tilly u arrestua në vitin 2009 në bazë të padisë së njërës prej aristokrateve të kësaj familjeje.