0Sportëdashësit në Kazan nuk do t’i presin vetëm aktivitetet e larmishme sportive. Për ta po përgatitet një program kulturor unikal. Thonë se pikërisht në Kazan takohen kulturat evropiane dhe aziatike. Ja se çfarë tregon shoqëruesja e grupeve të ekskursionistëve Ljudmilla Shoronina:

- Këtu janë gërshetuar mjaft ngushtë historitë e popujve rus dhe tartar. Kjo ka gjetur pasqyrim edhe në imazhin arkitektonik të Kazanit. Objekti kryesor më interesant i qytetit është, sigurisht, Kremlini. Në territorin e tij janë vendosur Xhamia e famshme Kul Sharif (russ. Мечеть Кул Шариф) dhe Katedralja e Lajmërimit (russ. Благовещенский собор). Ne kemi shumë kafene dhe restorante me kuzhina të mrekullueshme kombëtare. Në Kazan jetojnë përfaqësuesit e më shumë se 100 etnive: ndër ta mund të përmendim popullsitë Mari, Çuvashe (Chuvash), Udmurte e kështu me radhë... Në mes të shekullit të XVI-të Khania (monarkia) e Kazanit ishte aneksuar në mbretërinë ruse dhe atëhere filloi atje zhvendosja e popullsisë ruse. Etnitë e shumta bashkëjetojnë për mrekulli në Tartarstan. Ne kemi edhe sinagogë, edhe kishë katolike, edhe tempull Lutheran.

Verën e ardhshme në Kazan do të mbahen Lojrat Botërore Studentore. Pas tre vjetësh atje do të zhvillohet Kampionati Botëror i sporteve të ujit, kurse në vitin 2017 turneu i futbollit për Kupën e Konfederatave, i cili, mund të thuhet, se do të bëhet njëfarë prove gjenerale e Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018. Qyteti po përgatitet për ardhjen e qindra e mijëra turistëve dhe tifozëve, thotë Zëvendës shefi i Departamentit Kryesor të menaxhimit të investimeve dhe ndërtimit të Republikës së Tartarstanit Alfred Galijev:

- Ne kemi ndërtuar tashmë Fshatin e Universiadës. Kjo është një qytezë e veçantë banesore, ku do të akomodohen turistët dhe sportistët gjatë kohës së zhvillimit të Universiadës. Ne kemi një numër të madh hotelesh - nga më të lirët e deri tek ata të klasës luks. Janë ndërtuar shumë nyje transporti, janë zgjeruar rrugët automobilistike, me qëllim që sportitët të kenë mundësi të zhvendosen sa më shpejt nga një objekt sportiv në tjetrin.

0Ndeshjet e serisë finale të Kampionatit Botëror të Futbollit 2018 do të mbahen në stadiumin e ri. Ai do të hapet që në fillim të vitit të ardhshëm. Ky stadium do të jetë “shtëpia” e klubit të futbollit "Rubin" - një nga klubet më të fortë në Rusi. Stadiumi është projektuar për 45.000 spektatorë. Kjo është e mjaftueshme për zhvillimin e takimeve të fazës së 1/8 dhe madje të fazës së 1/4 të Kampionatit Botëror të Futbollit 2018.