0Rusia dhe Bullgaria kanë shkuar drejt kësaj marrëveshje për gati 6 vjet. Në rrugën e tubacionit të gazit vazhdimisht ngriheshin fillimisht barriera ekonomike dhe më pas politike në formën e mosmarrëveshjeve të ndryshme. Nuk është sekret për askënd se Sofja provon që prej kohësh vështirësi serioze financiare. Ajo refuzoi të financojë ndërtimin e pjesës së vet të tubacionit "South Stream" (“Rryma Jugore”). Të gjitha shpenzimet për këtë do t’i marrë tani mbi vete “Gazprom-i”. Prandaj Bullgaria nuk do të marrë pagesa (taksa doganore) për tranzitin e gazit nëpër territorin e saj në 15 vitet e ardhshme. Të tilla ishin kushtet dhe kërkesat e Moskës.

Përveç kësaj, Korporata Shtetërore ruse për Energjinë Atomike “Rosatom” deri tani pretendon të marrë një miliard euro nga Kompania Kombëtare Elektrike e Bullgarisë për refuzimin e ndërtimit të centralit bërthamor në Belene. Dhe kjo çështje (rast) ndodhet ende në shqyrtim nga gjykata. Por sido që të jetë në të vërtetë, thotë Presidenti i Institutit rus për Energji dhe Financa Vladimir Feigin, për një projekt të tillë kaq të madh do të lypset pëlqimi principial dhe dëshira e mirë jo vetëm e Bullgarisë:

- Po qe se do të ketë bashkëpunim në sferën e gazit, nëse do të ekzistojë dëshira reciproke për zbatimin e projektit dhe bërjen e tij të suksesshëm, natyrisht, ky është një faktor mjaft pozitiv. Por do të duhet të negociohet edhe me vendet e tjera.

Me shtetet e tjera gjatë procesit të negociatave në lidhje me realizimin e projektit “South Stream” ka pasur gjithashtu plot mosmarrëveshje, por Plani i Përgjithshëm është bashkërenditur tashmë me tërë pjesëmarrësit e tij. E para do të fillojë ndërtimin e gazsjellësit në fjalë Hungaria. Nisja e punimeve për shtrimin e tij është planifikuar tashmë që në dhjetor. Por sektori i parë tokësor i tubacionit do të kalojë pikërisht nëpër territorin e Bullgarisë. Kostoja e ndërtimit do të jetë 3 miliardë e 300 milionë €. Një shumë e tillë është e aftë për të stimuluar me lehtësi rritjen ekonomike në Bullgari për llogari të krijimit të vendeve të reja të punës si dhe tërheqjes së kapaciteteve të uzinave dhe materialeve. Por në përmasat e gjithë Evropës ka shumë më tepër rëndësi elementi i stabilitetit të furnizimeve të burimeve të energjisë. Pikërisht kjo dhe është arsyeja pse Komisioni Evropian ka ndryshuar tashmë tonin e vet në bisedimet me “Gazprom-in”, pas akuzave të paradokohshme në adresë të këtij të fundit për abuzimin gjoja me pozitën dominuese në treg dhe lojën e pandershme në të, mendon Drejtuesi i Qendrës ruse “Politika energjetike ndërkombëtare” Juri Sollozobov:

- Siç ka deklaruar tashmë publikisht më parë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Evropën e pret përballja me një dekadë të tërë recesioni. Kurse një nga mënyrat e daljes nga recesioni është rivendosja e aktivitetit ekonomik, gjë për të cilën lypset sigurimi i furnizimit të pandërprerë të burimeve të energjisë me një çmim të volitshëm për Bashkimin Evropian. Në këtë mënyrë rezulton se konflikti me “Gazprom-in”, furnizuesin kryesor të gazit natyror në Evropë, nuk përkon aspak me interesat objektive të evropianëve.

0Sipas mendimit të shumë ekspertëve, me fillimin e ndërtimit të gazsjellësit "South Stream" problemet ekzistuese midis vendeve do të zgjidhen në kushte reciprokisht të leverdisshme.