Paleontologët kanë zbuluar një specie të re dinozauri, duke i vënë atij emrin Xenoceratops foremostensis, që do të thotë "hardhuca e çuditshme me brirë nga qyteti i Foremost". Kjo është një nga hardhucat më të lashta me brirë që kanë jetuar në fund të periudhës kretake.

Eshtrat e dinozaurit u gjetën nga paleontologët e Kanadasë që në vitin 1950 në rrethinat e qytetit kanadez të Foremost. Më pas eshtrat u bënë pjesë e mostrave të Muzeut të Natyrës në Otavë dhe u studiuan nga profesionistët vetëm tani.

"Hardhuca e çuditshme" i përkiste species së centrosaurus-ve primitivë. Dinozauri dallohet nga paraardhësit e tij me faktin se nuk kishte një bri, por tre. Dihet tashmë se ky dinozaur peshonte rreth 2 ton, ndërsa gjatësia e trupit të tij ishte 6 m.