0Në fokus të negociatave të presidentëve të Rusisë dhe Izraelit do të jetë situata në Lindjen e Mesme, shprehet me bindje të plotë analistja politike Elena Melkumjan:

- Sepse tani Izraeli është tej mase i shqetësuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm i situatës së tensionuar në Siri. Nuk është fort qetë edhe në Palestinë. Edhe kjo temë gjithashtu ka shumë gjasa të ngrihet për shqyrtim gjatë bisedimeve. Dhe, natyrisht, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Izraelit - kjo është tema e tretë, e cila, pa dyshim, do të duhet të diskutohet nga presidentët.

Dihet tashmë fort mirë se në Izrael presidenti ka kryesisht funksione përfaqësuese dhe nuk zotëron shumë leva ndikimi mbi politikën e vendit. Megjithatë, Shimon Peres është një figurë e dukshme dhe me peshë në arenën politike. Në vitin 1994 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për kontributin e tij në procesin e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Në Moskë ai vjen për herë të tretë, kujton eksperti rus Sergei Demidenko:

0- Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Izraelit është mjaft vështirë të karakterizohen në mënyrë të njëkuptimshme, ato janë disi unike. Sot Rusia dhe Izraeli mund të konsiderohen me plot të drejtë aleatë në luftën kundër terrorizmit dhe pjesërisht në çështjet që kanë të bëjnë me zgjidhjen e konfliktit në Siri. Mes dy vendeve ekzistojnë marrëdhënie mjaft të ngrohta shoqërore. Me sa mbaj mend unë, në asnjë vend tjetër të botës nuk i kanë uruar mirëseardhjen në mënyrë kaq të ngrohtë e mikpritëse udhëheqësve tanë si atje: me këngë në rusisht dhe kërcime popullore. Është një fakt i njohur mbarëkombëtarisht regjimi veprues pa viza midis Rusisë dhe Izraelit. Po forcohen marrëdhëniet e tyre në fushën e energjetikës. Por ndërkohë ne kemi edhe shumë kontradikta. Në veçanti, për programin bërthamor të Iranit. Në lidhje me çështjen palestineze mosmarrëveshjet janë gjithashtu mjaft evidente. Sigurisht nuk mund të thuhet se pas kësaj vizite të Shimon Peres do të ketë ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet mes dy vendeve. Por kjo vizitë është e rëndësishme në aspektin e fiksimit të një niveli të caktuar të marrëdhënieve pozitive mes Rusisë dhe Izraelit.