0Pas numërimit të votave në shtetin Ohio u njoftua se Obama i siguroi vetes 275 vota elektorale nga 270 të nevojshme. Numërimi i votave është ende në vazhdim, por kjo nuk do të mund të ndryshojë dot më asgjë. Është plotësisht e mundur që Amerika pas katër vjetësh të kalojë nga "eksperimenti” me presidentin e parë afrikano-amerikan tek "eksperimenti" me presidentin e parë Mormonit. Por vetëm jo tani.

Për Barack Obama-n në të vërtetë këto nuk ishin thjesht zgjedhje, por një referendum vlerëplotë për drejtimin e presidentit të parë 44-vjeçar me ngjyrë të SHBA-së. Dhe, duhet thënë, se nuk u zgjodh koha më e përshtatshme për këtë referendum. Por Obama-s ia zgjatën, megjithatë, afatin e "kredibilitetit". Që nga koha e drejtimit të Presidentit Franklin Roosevelt asnjë president tjetër amerikan nuk është rizgjedhur në sfondin e një krize kaq të rëndë ekonomike dhe një niveli të tillë të lartë të papunësisë në vend.

Obama u rizgjodh jo se ai është kaq i mirë dhe se ka arritur të fitojë respektin e dashurinë në masat e gjera të popullsisë, por sepse Romney ishte më pak i qartë në parashtrimin e pikëpamjeve të veta politike dhe si shumë i ngatërruar, inkompetent në çështjet e politikës globale që atij të mund t’i besohej me siguri të plotë drejtimi i vendit. Romney trembi madje edhe ata zgjedhës që nuk ishin aspak entuziastë nga drejtimi i Presidentit të 44.

Por fitorja në zgjedhjet presidenciale nuk do të thotë aspak se Obama do ta ketë më të lehtë jetën që këtej e tutje. Përkundrazi, ai do ta ketë jetën shumë më të vështirë. Paralelisht me zgjedhjet presidenciale amerikanët rizgjodhën edhe gjithë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit dhe një të tretën e Senatit.

Në Dhomën e Ulët republikanët, me sa duket nga të gjitha, do të kenë përsëri shumicën e vendeve. Në Senat do të dominojnë demokratët me një avantazh minimal në vota. Kurse kjo do të thotë se çdo iniciativë legjislative demokratët do të duhet të kalojnë përmes Kongresit me luftë të madhe. Në SHBA shpesh herë ndodh kështu që amerikanët, pasi zgjedhin president një demokrat, e balancojnë atë tërësisht me Kongresin republikan. Ose anasjelltas.

Megjithatë, madje dhe me ardhjen e Romney në pushtet do të ishte e vështirë të imagjinohej që ai të mund të ndryshonte në mënyrë kardinale kursin e Shteteve të Bashkuara. Është e pamundur të ndryshohet kahu i lëvizjes në sfondin e dy luftërave, në Afganistan dhe Irak, destabilizimit të situatës në Lindjen e Mesme, gjendjes së Thesarit në prag të falimentimit, krizës së papërfunduar financiare dhe krizës së ekonomisë. Të gjitha këto probleme do të duhet t’i zgjidhë tani Barack Obama.

Obama-s i dhanë edhe katër vjet kohë për të përfunduar punën e nisur. Ndër të tjera, ai tani do të duhet të punojë për të shlyer "paradhënien norvegjeze" që iu ofrua atij në vitin 2009 në formën e Çmimit Nobel të Paqes.