0Fshati i lashtë i Paleh-ut, i cili ndodhet në pjesën qendrore të Rusisë, ka qenë prej kohësh i njohur për piktorët e vet ikonografë. Pas Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 ata u detyruan të kërkojnë forma të reja të pikturës. Historinë e lindjes së këtij arti folklorik (zejtari popullore) e rikujton për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtorja e Muzeut Shtetëror të Artit Paleh Alevtina Strahova:

- Ata morën nga ikonografia teknikën e të pikturuarit, ngjyrat karakteristike të saj dhe i zhvendosën ato në miniaturat me llak. Rruga drej artit të ri ishte e gjatë - që nga viti 1918 piktorët janë marrë me prova. Dhe ja një ditë të bukur, papritur e pa kujtuar, si një kthjellim i vetëdijes, si frymëzim hyjnor, pasi panë një peshtaf (kuti) prej papier mache të bërë nga mjeshtrat e fshatit Fedoskino, ata e panë me një sy tjetër, krejtësisht të ri imagjinar atë. Mjeshtrat nga Fedoskino punonin me bojëra vaji në letër papier mache, kurse piktorët e fshatit Paleh nisën të punojnë me tempera. Për disa vite me radhë ata zotëruan në Moskë teknikën e të pikturuarit në papier mache. Ekspozita e parë e tyre u hap në vitin 1923, kurse më pas filloi marshimi triumfal nëpër botën i miniaturës me llak të Paleh.

Galeria fotografike: Peshtafët e Palehut

Sendet e pikturuara me ngjyrë ari në sfond të zi. Bukuria e pazakontë, e paparë e veprave të piktorëve nga fshati rus Paleh bëri sensacion të madh në Panairin Botëror të vitit 1925 në Paris. Në muzeun, që u krijua 9 vjet pas këtij evenimenti, aktualisht numërohen më shumë se 15.000 punë. Por për shkak të hapësirës së pamjaftueshme të sallave të muzeut fillestar është ekspozuar vetëm një pjesë e vogël e fondit unikal të tij. Shumë ikona të rralla, miniatura me llak, piktura dhe libra me kopertina të pikturuara nuk janë ekspozuar,në përgjithësi, asnjëherë. Ndërtimi i godinës së madhe të muzeut të ri do të kushtojë rreth 1.5 milionë $. Tani po përfundojnë punimet e ciklit zero (hedhja e themeleve) e po bëhen instalimet elektrike dhe komunikacionet e nevojshme. Ndërtesa do të përshtatet në mënyrë mjaft harmonike në imazhin e Palehut, tha Alevtina Strahova:

- Ajo do të jetë shumë e ngjashme me gjithçka që është krijuar në Paleh - me arkitekturën provinciale të gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të. Godina dy-katëshe po ngrihet në vendin e shtëpisë së shembur të piktorëve shumë të njohur ikonografë të Palehut - Bjellousovi (russ. Белоусовы), të cilët kanë pikturuar muralet e të ashtuquajturës Granovitaja Pallata (russ. Грановитая Палата, angl. The Palace of the Facets) në territorin e Kremlinit të Moskës. Në këtë vend, në qendër të zonës historike, ndërtesa po konstruktohet në mënyrë të tillë që të mos bjerë fort në sy e të veçohet dallueshëm nga konteksti i godinave të tjera historike të këtij fshati.

0Përurimi i ndërtesës së re të Muzeut të Artit Paleh është planifikuar për në dhjetor të vitit të ardhshëm. Ai do të përbëhet nga gjashtë salla ekspozimi dhe një galeri arti, gjë kjo që, padyshim, do t’i pëlqejë turistëve të shumtë. Mysafirët e huaj vizitojnë gjithashtu me kënaqësi të madhe vetë fshatin Paleh, i cili është pjesë e Unazës së Artë të Rusisë, tha Alevtina Strahova.