0Komente të tilla të papritura, madje befasuese, tingëlluan pas vizitës së paradokohshme të Shefit të Pentagonit Leon Panetta në Gadishullin Korean.

Në përgjithësi, duhet thënë, se tema e MAR-it u është athëtuar në gojë, u është bërë tashmë bozë, aleatëve perëndimorë të Uashingtonit. Kurse tani në këtë sistem po përpiqen të tërheqin me të gjitha mënyrat aziatikët. Dhe e gjithë kjo është vazhdim i po asaj “politike famëkeqe të frenimit”, nga e cila Shtetet e Bashkuara nuk po munden të heqin dot dorë kurrsesi, thotë Grandmasteri ndërkombëtar rus i shahut Vlladisllav Tkaçov:

- Në vitin e largët 1946, brenda mureve të Ambasadës Amerikane në Moskë, lindi një teori krejtësisht e re gjeopolitike, e projektuar për të vënë një barrierë të fortë në rrugën e përhapjes së komunizmit në të gjithë botën. Dhe frika e kësaj ishte me të vërtetë e justifikuar: sepse popullariteti i Bashkimit Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore arriti apogjeun e vet, ndërsa ideologjia e vënë në zbatim prej tij doli çuditërisht tërheqëse për njerëzit e vendeve të kolonizuara.

Meqë ra fjala, pikërisht kjo teori në kohën e vet ka shërbyer si justifikim për intervencionin e amerikanëve në Kore dhe në Vjetnam në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Por edhe në ditët tona Uashingtoni vazhdon të udhëhiqet nga të njëjtat parime, përsiat Vlladislav Tkaçov:

- Tani skema analogjike e frenimit po përdoret intensivisht në luftën për vendosjen e kontrollit ndaj burimeve të energjisë dhe dominimin në hapësirën e Euroazisë. Vetëm se rrethi i atyre që duhen frenuar është zgjeruar si shumë: përveç Rusisë, tani në të janë përfshirë Irani, dhe, natyrisht, Kina. Në rastin me Iranin frika e shfaqjes së brezit shiit të vendeve myslimane e detyron Perëndimin dhe aleatët e tij të Lindjes së Mesme që të ndezin flakët e luftës civile në Siri. Dhe, duhet thënë, se interesat e pjesëmarrësve të një koalicioni të tillë kaq heterogjen janë si tepër diverse: në qoftë se SHBA-ja është kryesisht e interesuar në mbështetjen e Izraelit dhe ndërthurjen e unazave të anakondës rreth Kinës, Arabia Saudite dhe Katari pikësynojnë të garantojnë furnizimet e hidrokarbureve për shumë e shumë vite të ardhshme.

Përsa i përket rajonit të Azi-Paqësorit - s’është sekret më për askënd se tehu i segmentit aziatik të sistemit global të mbrojtjes antiraket nuk është i drejtuar aspak kundër Phenianit, por kundër rivales kryesore politiko-ushtarake të Uashingtonit në këtë rajon - Kinës. Megjithatë, rasti me Seulin duhet ta bëjë të mendohet mirë Shtëpisë së Bardhë.

0Siç vënë në dukje ekspertët, Seuli ia ka frikën jo vetëm faktit se pas bashkimit me sistemin amerikan të mbrojtjes atiraket mund të përkeqësohen në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet e tij me Kinën dhe Rusinë. E bën atë të distancohet nga ky hap edhe vetë kostoja e pjesëmarrjes së Koresë së Jugut në ndërtimin e sistemit të mbrojtjes antiraket në stilin ala amerikançe. Sipas disa vlerësimeve, qeveria e Koresë së Jugut do të duhet të shpenzojë rreth 100 miliardë $ për këtë qëllim. Ndërkohë që kurrfarë përforcimi real të aftësisë mbrojtëse të vendit të vet për këtë shumë me të vërtetë astronomike Seuli nuk do të marrë si përfundim.