0Ndërsa pas Kampionatit Botëror kompleksi do t’i jepet klubit të futbollit "Zenit", i cili tashmë është bërë me meritë të plotë një herë fitues i Kupës UEFA dhe një herë kampion i Super Kupës Evropiane.

Ndërtimi i stadiumi po realizohet me ritme të shpejta. Projekti i arkitektit japonez Kisho Kurokawa nuk parashikon praninë në këtë stadium të korsive të vrapimit për sportistët e atletikës së lehtë. Arena sportive është ideuar vetëm për ndeshje futbolli dhe koncerte. Në tribunat e stadiumit janë parashikuar vende për gati 70.000 spektatorë, numër ky më i madh se ai i nevojshëm në përputhje me kërkesat e FIFA-s. Stadiumi i ri nuk do të jetë vetëm një nga më të mëdhenjtë në vend, por dhe një ndër më të avancuarit nga aspekti teknologjik. Arena do të pajiset me sistem të brendshëm ngrohje. Madje dhe në ngricat më të mëdha në fushë do të ruhet temperatura mbi zero gradë (me plus).

Plotëson për mrekulli kërkesat e FIFA-s edhe infrastruktura e qytetit. Mbi një mijë hotele të niveleve të ndryshme, që nga ata me pesë yje e deri tek hostelet, janë të gatshëm për të akomoduar turistët e shumtë. Ndërkaq, duhet thënë, se në Kryeqytetin Verior rus (Shën Petersburg) çdo vit hapen dhjetra hotele të reja. Në gjashtë vitet e ardhshme - pikërisht kaq kohë ka mbetur deri në startimin e Kampionatit Botëror të Futbollit - do të zgjerohet aeroporti ndërkombëtar "Pulkovo" dhe do të lançohet treni aero-ekspress.

Nëpër qytet turistët mund të lëvizin duke shfrytëzuar metronë, e cila nuk mbetet aspak inferiore kundrejt bukurisë së metrosë së Moskës. Përveç kësaj, për shkak të kanaleve të shumtë të lumit Neva, që e përshkojnë kryq e tërthor qytetin, Shën Petersburgun shpesh e quajnë Venecia e Veriut. Në verë atje mund të bësh shëtitje me tramvaje lumore dhe varka. Ky është qyteti më i popullarizuar në mesin e të huajve në Rusi, thotë historiani i artit Filip Dvornik:

- Qyteti ynë është një muze i vërtetë nën qiell të hapur. Këtu turistët pjesën më të madhe të kohës do ta kalojnë jo nëpër ndeshjet e futbollit, por duke shkuar në Teatrin “Mariinski”, duke shëtitur nëpër bulevardin e mrekullueshëm Nevski Prospekt dhe me lundrime përgjatë lumenjve e kanaleve të këtij qyteti.

0Shën Petersburgu u themelua në vitin 1703 nga Cari Pjetri i Parë (Peter I) dhe për pothuajse dy shekuj me radhë ka qenë kryeqyteti i Perandorisë Ruse. Pikërisht kjo dhe është arsyeja e prezencës së pallateve të shumtë perandorakë, shumica e të cilëve janë shndërruar arktualisht në muzeume. Po atje ndodhet edhe Muzeu i famshëm i artit figurativ “Ermitazh”, që cilësohet si një nga më të mëdhenjtë në botë. Ai u krijua nga Perandoresha Ekaterina e Madhe për ruajtjen e koleksionit të saj madhështor, impresionues të pikturave, në të cilin hynin tabllo të tilla si "Familja e Shenjtë" e Raphael, "Judith" e Giorgione, pikturat e Rembrandt dhe Rubens. Dhe, sigurisht, kartëvizitë e qytetit janë urat lëvizëse. Ato i ngrejnë çdo natë në sezon navigacioni, nga prilli deri në tetor, kurse në mëngjes i ulin sërish për qarkullim.