Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton do të vizitojë Shqipërinë për të zhvilluar bisedime me autoritetet vendase rreth kryerjes së reformave të nevojshme për aderimin e vendit në Bashkimin Europian, njoftoi të enjten Ambasadori amerikan në Shqipëri Aleksandër Arvizu.

"Hillary Clinton gjatë bisedimeve me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, Presidentin Bujar Nishani dhe Kreun e opozitës Edi Rama do të përqëndrohet në rëndësinë e bashkëpunimit mes partive politike të vendit. Ajo do të mbajë gjithashtu edhe një fjalim në Kuvend", - u tha gazetarëve Arvizu.

Parlamenti i vendit ka bllokuar një sërë reformash për shkak të luftës midis partive politike, e cila po vazhdon prej disa vitesh, që kur Partia opozitare Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha për mashtrim në zgjedhjet e vitit 2009.