0Ekspozita me foto të fotografit të njohur shqiptar Roland Tasho, që përcjellin imazhe nga vendet më të bukura turistike dhe trashëgimia historiko-kulturore në Shqiperi, u organizua nga Agjencia Kombëtare e Turizmit të Shqipërisë në bashkpunim me Ministrinë e Kulturës të Federatës Ruse dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Rusi. Ekspozita fotografike “Shqipëria Turistike” zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës së Shqipërisë në Rusi, “Ditë” këto që kanë filluar veprimtarinë e tyre që me dt. 1 tetor të këtij viti.

Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zonja Brikena Arapaj, në çelje të ekspozitës tha se “këto fotografi janë një pjesë shumë e vogël e asaj ç’ka Shqipëria turistike është dhe ofron për vizitorët e saj. Megjithatë këto fotografi janë një pasqyrë e mirë e bukurisë natyrore, e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë, bukuri që mund të preken dhe shijohen edhe nga turistët e vizitorët rusë”.

Fotografitë e artistit Roland Tasho, pjesë të kësaj ekspozite, përcjellin pamje nga veriu në jug të Shqipërisë, të disa prej trevave dhe momumenteve më të njohura historike dhe turistike. Bregdeti i jugut të vendit, Alpet e veriut, qytete si Shkodra, Berati apo Gjirokastra, objekte dhe momumente të trashëgimisë kulturore e historike të Shqipërisë si dhe veshjet tradicionale janë përjetësuar në aparatin e fotografit Tasho, duke i bërë ato të njohura edhe për publikun e gjerë rus.

Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Shën Petersburg, Zoti Aleksandër Novik, në fjalën e tij përpara të pranishmëve, falenderoi institucionet shqiptare për këtë nismë të veçanë të promovimit të Shqipërise turistike dhe ftoi bashkëqytetarët e tij ta vizitojnë Shqipërinë, pasi tashmë ky vend njihet si destinacion mjaft interesant dhe i ngrohtë turizmi.

Ekspozita fotografike “Shqipëria Turistike” do të qëndrojë e hapur për vizitorët e qytetit të Shën Petersburgut nga data 20 tetor deri me datën 1 nëntor. Më pas do të jetë Moska qyteti i radhës ku do mund të ndiqet ky aktivitet.

0Gjatë qëndrimit të vet në Shën Petersburg Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Brikena Arapaj, pati një takim edhe në Pallatin e Qeverisë të këtij rajoni (Smolni) me Drejtorin e Çështjeve të Turizmit, Zotin Aleksandër Martinov.


0 Znj. Brikena Arapaj, duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve në sektorin e turizmit në Shqipëri, tha se numri i turistëve të huaj në këtë vend po vjen në rritje vit pas viti. “Klima mesdhetare, bukuritë natyrore, trashëgimia historiko-kulturore si dhe infrastruktura në përmirësim e sipër e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik përgjatë gjithë vitit, tha Arapaj, fakt ky që mund të shfrytëzohet nga operatorët turistikë rusë për të sjellë sa më shumë turistë në Shqipëri”. Edhe Drejtori për Çështjet e Turizmit në Qeverinë e Shën Petersbugut, Z. Aleksandër Martinov, e mbështeti mendimin se Shqipëria mund të jetë një destinacion mjaft tërheqës për qytetarët rusë, duke shprehur gatishmërinë e administratës së tij për të punuar në këtë drejtim.