Gjatë vizitës në Rusi të delegacioneve qeveritare të Perusë dhe Ekuadorit doli në pah përputhja e pozicioneve të tre vendeve për sa i përket çështjeve ndërkombëtare.

Lima, Quito dhe Moska i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i përmbahet Kartës së OKB-së dhe parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare gjatë kërkimit të rrugëzgjidhjes për konfliktin sirian.

"Parimi i mosndërhyrjes është njohur dhe konfirmuar nga OKB-ja. Peruja sigurisht që i përmbahet këtij parimi lidhur me Sirinë ", - deklaroi për "Zërin e Rusisë" Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Perusë José Beraún Aranibar, duke shtuar se Peruja mbështet zgjidhjen e krizës siriane përmes negociatave.

Nga ana e tij Zv. Ministri i Punëve të Jashtme të Ekuadorit, Marco Vinicio Albuja Martínez, njoftoi "Zërin e Rusisë" se Qeveria e Rafael Correa "respekton dhe i përmbahet parimit të vetëvendosjes së popujve", në bazë të të cilit populli sirian duhet të gjejë një zgjidhje paqësore të krizës. "Quito nuk do ta mbështesë ndërhyrjen ushtarake në Siri", - nënvizoi diplomati.