0Numri i emigrantëve që praktikojnë Islamin në Evropë është në rritje progresive. Shpesh herë zakonet e tyre bien në kundërshtim me traditat lokale dhe madje me vetë legjislacionin e vendeve ku jetojnë. Deri më sot në Suedi konflikte akute mbi baza fetare nuk ka patur ende. Me lejimin e thirrjes publike për namaz autoritetet suedeze, me sa duket nga të gjitha, kanë dashur të parandalojnë lindjen e situatave të mundshme të mbarsura me konflikt. Vetëm se kjo metodë e zgjedhur prej tyre, duke u shprehur butë këtu, është e çuditshme, mendon ekspert rusi Roman Sillantjev.

- Po të merret nga ana thjesht teknike kjo nuk ka asnjë kuptim. Lajmërimi i myslimanëve për fillimin e namazit me hyrjen në përdorim të telefonave celularë mund të bëhet fare lehtë pa thirrje nga minaret. Shumica e myslimanëve edhe kështu e di fare mirë se kur duhet shkuar për namaz.

Megjithatë, precedenti tashmë është krijuar. Myslimanët jo vetëm në Suedi, por edhe në vende të tjera evropiane, do të mund të këmbëngulin pas kësaj për kryerjen e riteve të veta në mënyrën, formën e zakonshme për ta. Dhe autoritetet evropiane do ta kenë gjithnjë e më të vështirë për ta penguar këtë, thotë analisti politik rus Aleksei Makarkin:

- Vendet e Evropës, në të cilat shumica e popullsisë është tradicionalisht e krishtere, aktualisht po distancohen në mënyrë të ndjeshme nga identiteti i tyre fetar. Kudo ka pasur vend kriza e identitetit fetar.

Prandaj dhe po hapen në manastiret e lashta evropiane restorante e hotele, kurse kishat e braktisura katolike në Francë po i rikonstruktojnë duke i shndërruar në xhami. Rinia evropiane turpërohet nga besimi i paraardhësve të vet. Kurse pasuesit e Islamit, në të kundërt, po deklarojnë me zë gjithnjë e më të lartë dhe në mënyrë fort këmbëngulëse për të drejtat e tyre, thotë një nga ekspertët për ligjin e Sheriatit Leonid Sjukijainen:

- Myslimanët janë bërë tani një pjesë e rëndësishme e jetës sociale, ekonomike dhe politike të Evropës. Evropianët duhet të kërkojnë formula të tilla për bashkëjetesën me Islamin, të cilat do t’u lejojnë atyre që të ruajnë identitetin kulturor evropian, të mbajnë lart standartet e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo varet, natyrisht, jo vetëm nga evropianët, por edhe nga myslimanët.

0Por sa të afta do të jenë taktikat e koncesioneve në lidhje me komunitetin mysliman për të zbutur dallimet ndër-fetare dhe ndër-kulturore? Tani për tani mund të flitet vetëm për krizën e politikës evropiane të multikulturalizmit.