Shkarko audiofailin


Më 24 tetor në Berlin, në një atmosferë solemne, Kancelarja gjermane Angela Merkel përuroi monumentin e ngritur për nder të kujtimit të romëve të vrarë nga nazistët. Në këtë ceremoni solemne ishte ftuar edhe cigania më e mirënjohur ruse, Doktore e shkencave historike, Zëvendës-Presidentja e Bashkimit Ndërkombëtar të Romëve Nadiezhda Demeter.

Por në Gjermani ajo nuk shkoi. Pse vallë? Me këtë pyetje ne iu drejtuam vetë Nadiezhda Georgievna-s:

- Kështu u krijuan rrethanat, gjë për të cilën më vjen jashtëzakonisht keq. Sepse ngjarja në fjalë është me të vërtetë historike. Një numër shumë i madh ciganësh (romësh) kanë gjetur vdekjen në kampet e përqendrimit Buchenwald, Treblinka, në Auschwitz, në Dakao, Ravensbrück, Mat’hauzen. Mbi Holokaustin e ciganëve pothuajse nuk flitet asgjë, tragjedia e tyre duket sikur mbeti e pa vënë re nga bota. Shifra zyrtare e ciganëve të vrarëve në kampet e shfarosjes në masë është 50. 000, por atë reale nuk e di askush në të vërtetë. Dihet tashmë publikisht fakti se në Estoni dhe Kroaci u vranë mbi 90% e romëve që jetonin atje, në Poloni deri në 70% e tyre, kurse në territoret e okupuara të Bashkimit Sovjetik jo më pak se gjysma e grupit etnik rom ...

Mendohet se ciganët gjermanë jetojnë më mirë se sa përfaqësuesit e fisit të lirë nomad në vendet e tjera evropiane. Por edhe në Gjermani i deportojnë refugjatët romë të Kosovës, ndërsa nga Franca ata rumunë dhe bullgarë. Marshime kundër romëve janë organizuar në Bullgari. Në Republikën Çeke puna ka shkuar madje deri në përleshje të armatosura me romët. Lista e rasteve të përplasjes me romët është shumë e gjatë. Po, vërtetë, i vendosën në Berlin memorialin romëve të vrarë në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Por çfarë bëhet aktualisht nga evropianët për ata që janë gjallë?
Nadiezhda Demeter përgjigjet si më poshtë vijon:

- Në Evropë është miratuar një strategji e tërë e politikës kombëtare e adoptuar për romët, e cila është projektuar deri për në vitin 2020. Ekziston Plani i Veprimit "Dekada e Përfshirjes së Romëve: vitet 2005-2015". Qeveritë kombëtare, Banka Botërore dhe filantropi (mecenati) amerikan George Soros japin të holla për integrimin e romëve në shoqëri, për punësimin dhe kujdesin e tyre shëndetësor. Mbi problemin e romëve është folur e flitet shumë në nivelet e OKB-së, Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian. Por, megjithatë, çdo publikim që duket në faqet e mediave është i mbarsur me negativitet në adresë të romëve. Etniciteti rom asociohet shumë fort me krimin, anti-sanitarinë dhe trafikun e drogës. Me njërën dorë, si të thuash, bëjnë thirrje për tolerancë, kurse me dorën tjetër distancohen, veçohen nga romët. Dhe këtu dashur pa dashur të vijnë ndërmend kohët e shkuara. Në Evropën Lindore, në të ashtuquajturin "blloku socialist", ciganët jetonin shumë më mirë. Ata nuk provonin mbi vete një urrejtje të tillë si tani, niveli i arsimit në mes të popullsisë së ngulur rome ishtë më i lartë (ata ishin më pak të prirur për jetë nomade asaj kohe). Po, vërtetë, në pjesën më të madhe të tyre romët i përshëndesnin ndryshimet, duke menduar se do të fitonin më shumë liri dhe do të kishin më tepër mundësi për të rregulluar jetën. Por, mjerisht, dolën të panevojshëm, të pakërkuar në kushtet e demokracisë. Dhe nuk ka se kush t’i dalë në mbrojtje atyre: ata nuk kanë atdheun e vet, ata nuk janë të përfaqësuar në organizata ndërkombëtare dhe, në fakt, janë njerëz pa të drejta. Natyrisht, shpesh vetë romët i rezistojnë me forcë integrimit në shoqëri, nuk duan të dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Është krijuar sistemi i klaneve, ku dominon personi i quajtur "Baron", ndërsa romët e vobektë të varur e të nënshtruar janë të detyruar t’i shërbejnë atij për dy grosh, duke fituar para me trafikim droge dhe vjedhje. Ja pra këtu dhe i ka rrënjët e veta “problemit cigan”.