Njëmbëdhjetë persona kanë gjetur vdekjen dhe 19 të tjerë janë plagosur në një aksident rrugor që ndodhi të hënën në një rrugë malore në periferi të Rio de Janeiro.

Sipas informacionit të policisë braziliane të trafikut rrugor, në njërën prej kthesave të rrezikshme shoferi i autobusit humbi kontrollin ndaj automjetit dhe makina, që kishte marrë shpejtësi të madhe në rrugë të tatëpjetë, përfundoi në humnerë.

Në vendin e tragjedisë kanë filluar të punojnë intensivisht ekipet e shpëtimit dhe po realizohet evakuimi i të lënduarve. Autoritetet filluan hetimin e aksidentit rrugor. Si shkakun më të mundshëm të tragjedisë ekspertët e policisë së trafikut përmendin mosfunksionimin, pra, bllokimin e frenave të autobusit.