0Beteja kryesore elektorale në këto zgjedhje do të zhvillohet në mes të "Partisë së Rajoneve" në pushtet dhe Partisë opozitare "Batkivshina" ("Atdheu"), të kryesuar nga ish-Kryeministrja Julia Timoshenko. E para prej tyre e ka ndërtuar fushatën elektorale duke u mbështetur në renditjen e arritjeve të veta, kurse e dyta - duke vënë në pah dobësitë dhe të metat e oponentëve. Anëtarët e “Partisë së Rajoneve” vazhdojnë të përsërisin pa pushim: "Ne premtuam me fjalë dhe bëmë me vepra". Si shembull ilustrativ të këtij konfirmimi ata përmendin rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe miratimin e ligjit mbi gjuhët rajonale. Theksojnë kontributin e tyre në zhvillimin e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Votuesit i shohin të gjitha këto dhe duhet t’i vlerësojnë sipas meritave, mendon deputeti i Verhovnaja Rada (parlamentit), anëtar i "Partisë së Rajoneve" Vladimir Oleinik:

- Ekspertët thonë se asnjë nga partitë pretenduese nuk i ka përmbushur në mënyrë të plotë premtimet e veta. Por në të njëjtën kohë ekspertët kanë përcaktuar qartë, se nivelin më të lartë dhe përqindjen më të madhe të përmbushjes së premtimeve i ka "Partia e Rajoneve". Veprat konkrete janë argumenti më i fuqishëm për të bindur elektoratin që të votojë pro "Partisë së Rajoneve".

Anëtarët e partisë, së kryesuar nga Julia Timoshenko, e vërejnë situatën në vend me një sy krejtësisht tjetër. Në veçanti, kur bëhet fjalë për pensionet ata venë në dukje se pensionistët marrin pensione shumë të vogla, gati të papërfillshme. Hendeku midis pensionit minimal dhe atij maksimal është monstruozisht i madh. Në rast se fiton në zgjedhjet parlamentare, Partia "Batkivshina" ("Atdheu") premton ta reduktojë ndjeshëm këtë disnivel. Premtojnë të venë rregull anëtarët e partisë edhe në çështjen e taksave. Partia "Batkivshina" ("Atdheu") ka tashmë të gatshëm projektin e Kodit të ri, i cili redukton numrin e grumbullimit të taksave ekzistuese në vend nga 150 deri në 7 gjithsej. Edhe një tjetër nismë legjislative e përgatitur nga “Batkivshina” do të ketë të bëjë direkt me vetë anëtarët e Verhovnaja Rada, thotë Zëvendësi i parë i kryetarit të fraksionit Sergei Soboljev:

- Moment principial për ne është votimi me kartë vetiake (personale). Në parlamentin ukrainas shpesh ndodh kështu që një deputet voton për 5-6 kolegë të vet. Por kushtetuta parashikon votimin vetëm me kartën personale. Prandaj ne jemi duke përgatitur një projekt-ligj që parashikon përgjegjësi penale për votimin me kartë të huaj.

0Ndërsa gjëja e parë që shpreson të bëjë partia, pasi të fitojë zgjedhjet, është organizimi i votimit për impiçment (votimi për shkarkim) të Presidentit Viktor Janukoviç. Vërtetë, në intervistën e tij me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë", Sergei Soboljev deklaroi se kjo nuk është ndonjë hakmarrje personale ndaj Presidentit. Partia "Batkivshina" ("Atdheu") konfirmon se në të njëjtën mënyrë do të veprojë me çdo kryetar tjetër shteti, politikën e të cilit do ta konsiderojë si të papërgjegjshme.