0Para fillimit të samitit Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble u tregoi gazetarëve mbi dëshirën për t’i ofruar mundësinë Komisionit Evropian që të korrektojë buxhetet e shteteve anëtare të BE-së, gjë me të cilën shkaktoi një shok të vërtetë midis përfaqësuesve të Spanjës, Irlandës, Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane që po ballafaqohen aktualisht me vështirësi të mprehta ekonomike.

Me sa duket nga të gjitha, kundërshtarët e sekuestrimit të buxheteve shtetërore arritën në konkluzionin se Berlini nuk është i gatshëm për aplikimin e masave radikale të ndikimin ndaj kolegëve të pabindur, kokëfortë në Bashkimin Evropian dhe preferuan të insistojnë në zgjerimin e mekanizmave ekzistues, të destinuar për mbështetjen e ekonomive të dobëta të eurozonës pa i dhënë Komisionit Evropian të drejta dhe mundësi shtesë për ushtrimin e kontrollit buxhetor. Në këtë mënyrë llogaritë e bëra nga kundërshtarët e Berlinit e justifikuan plotësisht veten dhe përpjekja e radhës e Kancelares gjermane Angela Merkel për të detyruar pjesën tjetër të Evropës të jetojë sipas rregullave gjermane përfundoi pa rezultat.

"Rregullat e lojës", në bazë të të cilave luajnë politikanët evropianë, nuk i lejojnë udhëheqësit e BE-së të pranojnë, se përpjekja e radhës për të rënë dakord për çdo gjë çoi në atë, që ata nuk arritën dot fare në marrëveshje për asgjë. Formalisht, tema kryesore e takimit të Brukselit ishte përsosja e mekanizmit pan-evropian të rregullores së bankave, por madje edhe në këtë çështje Palët e Larta ujdibërëse nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët. "Hollande dhe Merkel - ishin ata në përgjithësi në të njëjtin samit apo jo?" - pyet me irritim e ironi autori i analizës së botuar në “The Financial Times”.

Dhe, duhet thënë, se acarimi i gazetarëve britanikë është plotësisht i kuptueshëm. Hollande në këtë mënyrë e komentoi ecurinë e takimit: "Temë e samitit nuk ishte bashkim buxhetor, por bashkimi bankar dhe zgjidhja e vetme e samitit - krijimi i bashkimit bankar deri në fund të këtij vitit, me theks të veçantë në rregullimin e punës së bankave". Merkel flet për rezultate krejtësisht të tjera të samitit, duke konfirmuar se "Banka Qendrore Evropiane do të jetë në gjendje të merret me rregullimin praktik të sektorit bankar gjatë vitit 2013". Çfarë përfundimi mund të nxirret nga këto deklarata kontradiktore, prej të cilave është e pamundur të parashikohen bile dhe afatet e përafërta të realizimit në jetë të premtimeve tejet të paqarta për krijimin e "Unionit Bankar" në kuadër të BE-së? Në këtë rast dashur pa dashur arrin në përfundimin e dukshëm dhe njëkohësisht pesimist: midis udhëheqësve të Bashkimit Evropian nuk evidentohet asnjë lloj konsensusi jo vetëm për veprime konkrete, por as në lidhje me atë se çfarë u duhet thënë gazetarëve dhe votuesve.