Polonia kërkon nga Rusia që të kryhet një hetim në lidhje me publikimin në Internet të fotografive të viktimave të tragjedisë së rrëzimit të avionit të Presidentit polak Lech Kaczynski në Smolensk në prill të vitit 2010.

Ambasadori i Rusisë në Varshavë Aleksandër Aleksejev u thirr sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë lidhur me këtë çështje. Polonia kërkon ndëshkimin e fajtorëve të publikimit të fotove si dhe bllokimin e hyrjes në faqet (sites) ku ato janë botuar.

Fotot tronditëse, në të cilat mendohet se janë pasqyruar fragmentet trupore të Presidentit Kaczynski dhe të viktimave të tjera të katastrofës ajrore, u publikuan në faqet ruse të Internetit në fund të shtatorit. Komiteti Hetimor i Rusisë deklaroi se stafi i dikasterit në fjalë nuk është i përfshirë në përgatitjen dhe publikimin e fotove. Këto foto nuk gjenden në dosjen e çështjes.