Shkarko audiofailin


Rezultatet e sapo bëra publike të zgjedhjeve në administratën rajonale (zastupitelstva) dhe në Senatin e Republikës Çeke shkaktuan një moskuptim, habi të lehtë në Moskë. Çdokush që është i interesuar për zhvillimet në këtë vend e di fort mirë: se që nga fillimi i viteve ‘90 refuzimi i ideologjisë komuniste u shndërrua pothuajse në politikë zyrtare të Republikës Çeke.

Partitë parlamentare nuk ndërveprojnë me Partinë Komuniste të Çekisë dhe Moravisë (KSČM- KSÇM), madje dhe për arsye taktike. Kjo ngarkesë elektrike "anti-komunizmit" në Republikën Çeke, ku Presidenti i parë ishte aktivisti i të drejtave të njeriut Václav Havel, dukej sikur nuk do të shterronte kurrë. Por në zgjedhjet e fundit të gjitha iluzionet u zhdavaritën: qytetarët e "papërgjegjshëm, të pavetëdijshëm” çekë votuan masivisht për të majtët, domethënë për social-demokratët dhe për ... Partinë Komuniste të Çekisë dhe Moravisë, e cila, sipas mendimit të analistëve politikë vendas, i ka forcuar më shumë se gjithë të tjerët pozitat e veta. Dhe ja tani Lideri i social-demokratëve Bohuslav Sobotka deklaron se, gjoja, është i gatshëm të arrijë anulimin e ndalimit të vendosur për bashkëpunimin me komunistët. Nëse aleanca e planifikuar e Partisë Komuniste të Çekisë dhe Moravisë dhe social-demokratëve (KSÇM dhe ÇSDP) do të gjejë realizim në jetë, atëhere në Republikën Çeke mund të krijohet me të vërtetë ... Senati i të majtëve.

Po çfarë po ndodh, në fakt, me elektoratin çek? Mos vallë është harruar me të vërtetë regjimi "i përgjakshëm" komunist?

Me këto pyetje ne iu drejtuam në bisedën tonë telefonike analistit politik Ian Petranek në Pragë. Ja se çfarë thotë ai:

- Të dhjathtët humbën sepse me kryeneçësi e këmbëngulje kanë refuzuar për një kohë të gjatë t’i vinin veshin problemeve e preokupimeve të shoqërisë. Në vend po rritet në mënyrë kërcënuese, drastike numri i të papunëve (aty nga fundi i vitit ata do të përbëjnë gati 9% të popullsisë së aftë për punë). Ministria e Financave e kryesuar nga Miroslav Kalousek, i cili është i përfshirë në skandalet me marrje ryshfeti, ngre taksat. Borxhi kombëtar ka arritur shifra astronomike. Dhe në këtë sfond rezulton se Republikës Çeke i nevojitet domosdoshmërisht, gati si ajri, blerja me shuma të çmendura e aeroplanëve gjuajtës suedezë "Gripen», sepse, gjoja, aviacioni vetiak, aeroplanët çekë “Albatros” nuk janë në gjendje për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të vendit. Njerëzit i nervozon, i acaron pa masë kjo ndjekje e bindur, miope, si kalë karroce, prej autoriteteve tona e politikës buxhetore të BE-së dhe doktrinës ushtarake të NATO-s. Le të kujtojmë me këtë rast protestat masive të kohëve të fundit kundër ndërtimit të radarit të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket (MAR) në lokalitetin Brdy. Dëshpërim dhe zhgënjim - ja cili është rezultati kryesor i zgjedhjeve, në të cilat nuk erdhën për të votuar dy të tretat e popullsisë së vendit. Kurse ata që erdhën, e shprehën protestën e vet duke ia dhënë votën e tyre me shumicë dërrmuese të majtëve.

Ç’ndikim do të ushtrojnë rezultatet e zgjedhjeve në politikën çeke? Me një fjalë, çfarë e pret vendin në të ardhmen?

Zhgënjimi që pësuan njerëzit nga koalicioni i dhjathtë qeverisës është kaq i madh, saqë nuk përjashtohet edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nuk përjashtohet madje zhvillimi i një grevë të përgjithshme kombëtare për arritjen e këtij qëllimi. Pesimizmin ia shton njerëzve edhe grupi i kandidatëve pretendues për postin e Presidentit të vendit. Për herë të parë në historinë tonë do të mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta mbarëpopullore të kryetarit të shtetit. Por ndonjë figurë me popullaritet për këtë post faktikisht nuk ka. Përkatësisht rejtingut (vlerësimit) i tillë mund të konsiderohet tani ish-Kreu i Shërbimit Statistikor, ish Kryeministri i përkohshëm Jan Fischer. Por ai u shqua në postin e tij të lartë vetëm me atë, se nuk bëri absolutisht asgjë.