0Königsbergu prusian i kaloi Rusisë në vitin 1945, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe po atëhere ai mori një emër të ri - Kaliningrad. Qyteti kështjellë (fortesë), i themeluar nga Urdhëri Teutonik 800 vjet më parë, në fund të luftës ishte pothuajse tërësisht i shkatërruar. Ai u rimëkëmb dhe ato çfarë kanë mbetur nga kohët e moçme duhet t’i shohin të gjithë. Për shembull, Katedralen, ku ka mbajtur leksionet e veta filozofi gjerman Immanuel Kant (vitet 1724-1804), apo Muzeun Portat Friedland (angl. Friedland Gate), ku janë mbledhur shumë eksponate unikale. Po atje vizitorët mund të shohin edhe kostumet e armaturat kalorsiake. Dhe, sigurisht, ia vlen të shëtisësh nëpër lagjet e vjetra të këtij qyteti të hershëm, shprehet me bindje të plotë Zëdhënësja e Muzeut Historiko-Artistik të Kaliningradit Maria Tepllisheva:

- Gjëja më interesante në qytetin tonë janë rajonet ku ruhen ndërtesat historike, ku kanë mbetur gjurmët e Königsbergut të vjetër. Atje ka disa vila të vjetra shumë të bukura. Qyteti pas përfundimit të luftës u rindërtua pothuajse nga e para, por disa lagje të veçanta dhe ndërtesa të moçme janë ruajtur megjithatë.

Është me interes të madh të vizitohet edhe Muzeu i Oqeanit Botëror, i cili është vendosur në tre anije dhe një nëndetëse. Në qytetin e Qelibartë, në periferi të Kaliningradit, nxirret qelibar. Atje janë përqendruar 90% e rezervave botërore të këtij minerali. Qelibari, meqë ra fjala, gjendet me shumicë në gjuhën e tokës në det të quajtur Kurshskaja, tregon Drejtuesja e Qendrës informative rajonale të turizmit Galina Oficerova:

- Gjuha e tokës Kurshskaja (angl. Spit Curonian) përfaqëson në vetvete një rrip të ngushtë toke me rërë që ndan Detin Balltik dhe Lagunën Kuronian (angl. Curonian Lagoon). Ky është një park i mrekullueshëm kombëtar. Përkatësisht dimensioneve të veta, gjatësia dhe lartësia e dunave, gjuha e tokës Kurshskaja nuk ka analoge në Evropë. Në një ditë turistët mund të shohin këtu pyje me bukuri të jashtëzakonshme, detin e mrekullueshëm dhe dunat me pamje impresionuese, të shëtisin përgjatë plazhit dhe të gjejnë copa qelibari. Ndërsa kuzhina e Königsbergut është e njohur në të gjithë Evropën për delikatesat e saj. Kështu që gjithkush që dëshiron mund të shijojë klopset e famshme të Königsbergut (gjermanisht Königsberger Klopse) - qofte me mish të shoqëruara me salcë kaperësh. Në këtë qytet ka shumë fabrika të vogla birre, në të cilat birra përgatitet në bazë të recetave të moçme tradicionale.

Në të ardhmen e afërt në qytet do të fillojë ndërtimi i një stadiumi të madh. Për të tregon Zëvendëskryetari i Komitetit Organizativ për zhvillimin e ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018 në rajonin e Kaliningradit Pavell Pogrebnjak:

- Stadiumi do të jetë multifunksional. Gjatë zhvillimit të Kampionatit Botëror ai do të ketë 45.000 vende për shikuesit, kurse më pas do të mbeten vetëm 25.000 dhe atij do t’i ndërtohet një çati që hapet e mbyllet, kështu që ai mund të përdoret gjatë gjithë vitit. Atje do të zhvillohen, përveç ndeshjeve të futbollit, festivale të sporteve ekstreme dhe turne ndërkombëtarë tenisi dhe hokeji.

0Kaliningradi lidhet me rrugë hekurudhore me gjithë Evropën. Atje mund të arrihet me aeroplan dhe me makina. Kurse nga vendet skandinave në Kaliningrad qarkullojnë vazhdimisht tragetet. Në vetë këtë qytetet gjatë periudhës së verës mund të udhëtohet me biçikleta, pikat e dhënies me qira të të cilave janë të vendosura në të gjithë Kaliningradin.