Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton deklaroi se ajo është përgjegjëse për sigurinë e misioneve diplomatike të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe konsullatën në Benghazi, ku muajin e kaluar u vra Ambasadori amerikan në Libi Christopher Stevens.

Në një intervistë për një nga televizionet amerikane Clinton nënvizoi se as Presidenti Barack Obama, as Zv.Presidenti Joe Biden nuk janë të përfshirë në vendim-marrjen për të ruajtur sigurinë e diplomatëve. Hetimi për vdekjen e Ambasadorit në Libi ishte një nga temat kryesore të fushatës parazgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

Sipas informacionit të njërit prej komiteteve të Kongresit Amerikan, Departamenti Amerikan i Shtetit nuk iu përgjigj kërkesave të konsullatës në Benghazi për masa suplementare sigurie.