0Rusia e ka filluar luftën me tuberkulozin në nivel shtetëror shumë më herët se sa vendet e tjera. Që në vitin 1922 u ndërmorr një program i veçantë, në të cilin vëmendje e veçantë iu kushtua diagnostikimit të hershëm të sëmundjes. Falë kësaj dhe shpikjes së antibiotikëve në vitet ‘40 të shekullit të kaluar u arrit të mposhtej sëmundja serioze, shprehet Ftiziatri (specialist për tuberkulozin) kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë të Rusisë Petër Jablonski:

- Për nga shkalla e rëndësisë sociale tuberkulozi nuk është më një sëmundje primare, të cilën po e lufton shteti. Por për nga niveli i rrezikshmërisë shoqërore kjo sëmundje ka qenë gjithmonë sëmundja numër një.

Gjatë 100 viteve të fundit testi tuberkulin i lëkurës (Mantoux test) është metoda e vetme e diagnostikimit të hershëm të infeksionit të rrezikshëm. Në kopshtet e fëmijëve dhe në shkolla fëmijëve iu bënin një gjilpërë pak më lart kyçit të dorës dhe rreptësisht u ndalonin të lagnin dorën. Por pavarësisht gjithë masave mbrojtëse gjithsesi në këtë vend shfaqej një pullë e madhe e kuqe. Fëmijët i dërgonin tek specialistët. Dhe ata në të shumtën e rasteve përcaktonin se ky ishte veç një reaksion i rremë.

Shkencëtarët rusë përpunuan një preparat inovator Diaskintest. Ai përmban gjithsej vetëm dy proteina. Ato luajnë rolin e një lloj "karremi", me të cilin mund të "kapet" sëmundja. Ato janë karakteristike për shtamet e mikobakterit që shkakton tuberkulozin tek njerëzit dhe mungojnë në shtamet e vaksinës kundër tuberkulozit BCG (Bacillus Calmette - Guérin) dhe te mikobakteret jotuberkulare. Saktësia ose, siç thonë shkencëtarët, "specifika" e testit lëkundet në intervalin 90-100%, vë në dukje Ftiziopediatria e Ministrisë së Shëndetësisë të Rusisë Valentina Aksenova:

- E veçanta e preparatit Diaskintest qëndron në faktin se ai nuk reagon ndaj alergjisë specifike. Në 100% të rasteve fëmijët me alergji postvaksinale, por jo të infektuar, japin rezultat negativ. Fëmijët me alergji jospecifike reagojnë në të njëjtën mënyrë.

0Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një e treta e popullsisë së rruzullit tokësor është e infektuar me baktere të tuberkulozit. Shpikja e shkencëtarëve rusë përbën në vetvete një përparim, arritje në mjekësi. Grupi i përpunimit të testit të ri u nderua me Çmimin e Shtetit të Qeverisë së Rusisë në shkurt të vitit 2012. Interesi i homologëve të huaj ndaj metodës inovatore të diagnostifikimit është shumë i madh: tashmë po zhvillohen negociata me një sërë vendesh evropiane dhe aziatike për blerjen e preparatit.