Kryeministri britanik David Cameron dhe Kryeministri i Skocisë Alex Salmond nënshkruan një marrëveshje që përcakton rregullat e referendumit mbi pavarësinë e territorit skocez, të planifikuar për vitin 2014.

Fletëvotimi do të ketë vetëm një pyetje me variantet e përgjigjeve "po" ose "jo". Rendi i fjalëve në pyetjen që i drejtohet votuesve, si dhe mundësia për të votuar për 16 dhe 17-vjeçarët skocezë, do të përcaktohen nga Parlamenti në Edinburg në muajt e ardhshëm.

Partia Kombëtare Skoceze (Scottish National Party), e udhëhequr nga Alex Salmond, pa pëlqimin e autoriteteve në Londër bën thirrje për pavarësi prej rreth 80 vjetësh, duke filluar që nga viti 1934.