0Ikonat përfaqësonin punime të Nikolla Onufrit, Vëllezërve Zografi, të David Selenicës, të Jeromonakut, anonime etj. Spikasnin ikonat “Pagëzimi i Krishtit, “Shën Maria me Shenjtore”, “Shën Maria me Krishtin”, “Johan Theologu”, “Ngjallja e Llazarit”, “Prekja e Thomait”, “Dyert e Bukura” etj. Për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të kulturës shqiptare në Rusi kishin ardhur deputetë të Dumës Shtetërore ruse, përfaqësues të institucioneve të ndryshme qendrore ruse, shqiptarë me banim në Rusi, anëtarë të Shoqatës së Miqësisë Rusi-Shqipëri, studiues të artit, kulturës, gazetarë, titullarë të trupit diplomatik të akredituar në Rusi etj.

Në ceremoninë e organizuar në kupolën e kishës mesjetare të muzeut “Andrej Rublov” përshëndetën të pranishmit Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse zoti Sokol Gjoka, Drejtori i Përgjithshëm i Muzeut të Artit Mesjetar rus “Andrei Rubljov”, zoti Grigori Popov, Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës, zonja Tatjana Caca, dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës të Federatës Ruse. Folësit në këtë ceremoni vunë në dukje vlerat e veçanta historike, kulturore, artistike dhe fetare të Ikonografisë shqiptare. Përfaqësuesit e institucioneve ruse, që morrën fjalën në këtë ceremoni, përshëndetën hapjen e kësaj ekspozite të veçantë në Moskë, e cila i bën më të prekshme vlerat kulturore, artistike dhe religjoze të popullit shqiptar. Kjo ekspozitë, sipas tyre, transmenton mesazhet e kohës, por me ngjyra shqiptare. Ambasadori Sokol Gjoka vuri në dukje në fjalën e tij se kjo është ekspozita e parë e këtij lloji që hapet në Rusi, nëpërmjet së cilës transmentohen vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe të kulturës kristiane të popullit shqiptar. Ky aktivitet, vijoi ai, zhvillohet në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi dhe të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës, zonja Tatjana Caca, foli për vlerën e ikonave shqiptare të ekspozuara në eksponatet e këtij muzeu rus, por edhe me gjerë, për kulturën mesjetare kishtare shqiptare, për mënyrën e ruajtes dhe ekspozimit të këtyre ikonave nga populli i thjeshtë gjatë periudhës së komunizimit në Shqipëri, si dhe për vlerat e mëdha të ikonografisë shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Ajo bëri të ditur për të pranishmit se ikona dhe teknika e piktorëve ikonografë shqiptarë të mesjetës mendohet të ketë qenë e pranishme edhe në disa kisha ruse të kohës.

Të pranishmit që vizituan ekspozitën vlerësuan artin mesjetar të Ikonografisë shqiptare. Ata vlerësuan edhe frymën kishtare të këtyre ikonave, të pa përzier me elemente të tjerë të asaj kohe, por edhe më pas, gjë që, sipas tyre, vihet re në ikonografinë e kohës të disa vendeve të tjera. Ata vlerësuan edhe ngjyrat e veçanta në disa ikona, si të “kuqen” e Onufrit etj. Ekspozita e Ikonografisë shqiptare gjeti jehonë edhe në median ruse. Për të u botuan informacione dhe komente në shtypin e shkruar rus, u bënë telereportazhe si dhe u pasqyrua si aktivitet në faqet zyrtare të Internetit të institucioneve ruse të kulturës.

Ekspozita e Ikonografisë shqiptare në Moskë do të qëndrojë e hapur për vizitorët rusë deri me dt. 9 nëntor. Më pas, ajo do të transferohet në qytetin e tretë me të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod, ku do të qëndrojë e hapur deri me dt. 11 dhjetor 2012.

Ekspozita e Ikonografisë shqiptare në Rusi u parapri nga dy koncerte të suksesshme shqiptare: të Orkestrës së RTSH dhe oktetit të vajzave “Nënë Tereza”, të dirigjuar nga Maestro Oleg Arapi dhe Mjeshtrja e Korit, Artistja e Merituar, Suzana Turku, dhënë në Moskë dhe Shën Petersburg, dhe do të pasohet nga një ekspozitë e fotografit të mirënjohur shqiptar Roland Tasho, “Shqipëria Turistike” në Shën Petersburg dhe Moskë, nga një javë e filmit shqiptar, po në Moskë dhe Shën Petersburg, nga një ekspozitë e etnografisë shqiptare në Shën Petersburg dhe nga konferenca shkencore kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.