Shkarko audiofailin


Çdo ekspozitë, e vendosur në Muzeun Qendror të Kulturës Antike dhe Artit Mesjetar rus “Andrei Rubljov”, është me interes të madh për çdo vizitor dhe artëdashës. Ndërsa një ekzotikë e tillë, si koleksioni i ikonave orthodhokse nga Shqipëria, ishtë i destinuar apriori për sukses.

Për Shqipërinë bashkëkohore rusët dinë, ç’është për të ardhur keq, fare pak. Ndërkohë, duhet konstatuar, se të gjithë ata janë mëse të bindur se Shqipëria është një vend ekskluzivisht mysliman. Dhe ja, papritmas, një ekspozitë e ikonave orthodhokse shqiptare në Moskë! Po prej nga kanë ardhur ato? "Nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar shqiptar të qytetit të Korçës", - thotë Drejtori i Muzeut “Andrei Rubljov” në ditën e hapjes së ekspozitës së Ikonografisë shqiptare në Moskë, historiani i artit fetar Gennadi Popov:

- Në hapjen e ekspozitës ishte e pranishme edhe Drejtorja e Muzeut të Korçës Tatjana Caca, e cila kombinon në veprimtarinë e saj edhe detyrat e ruajtëses dhe restaurueses së muzeut. Ne kemi filluar zhvillimin e bisedimeve me të për hapjen e një ekspozite të tillë që prej një kohë të gjatë, rreth 8-10 vjet më parë. Dhe, ja, papritmas, partnerët shqiptarë e përgatitën ekspozitën. Por fillimisht e dërguan atë në Evropë: në Francë, Gjermani dhe Greqi. Ndërsa në Moskë ajo erdhi tashmë në një formë pak më të ndryshme: lindi domosdoshmëria e zëvendësimit të eksponateve, sepse ato mund të pësonin dëmtime të rënda nga ndryshimi i klimës, nga luhatjet e theksuara të thatësirës dhe lagështisë. Ne caktuam për zhvillimin e ekspozitës një sallë të veçantë dhe i vendosëm të gjitha eksponatet në vitrina prej qelqi. Disa ikona na u desh t’i “kurojmë” pak, për t’i shpëtuar nga brumbujt e vegjël brejtës. Për këtë qëllim ftuam një ornitolog. Në këtë ekspozitë janë paraqitur gjithsej 18 ikona jo të mëdha të periudhës së shekujve XIV-XVIII të e.s. Ka ikona autoriale, të nënshkruara nga piktori i shquar i shekullit të XVI Nikolla Onufri. Ikonat janë të mrekullueshme, të habitshme, impesionuese.

Ekspozita e Ikonografisë shqiptare është hapur në kuadër të programit "Ditët e kulturës shpirtërore të Shqipërisë", i cili po realizohet aktualisht në Rusi. Gennadi Popov tregon si më poshtë vijon:

- Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës u fol për shoqërinë fetare të Shqipërisë, si një pjesë e rëndësishme përbërëse e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë së këtij vendi. Shteti është i ri! Njerëzit e brezit tim, të cilët kanë jetuar në Bashkimin Sovjetik, sigurisht, e mbajnë mend fort mirë filmin e famshëm shqiptaro-sovjetik “Luftëtari i madh i Shqipërisë - Skëndërbeu” (1954, regjisor S. Jutkeviç), nëpërmjet të cilit ne njiheshim asaj kohe me historinë e vështirë të formimit të shtetit shqiptar. Aktualisht mbi Shqipërinë, kishën e saj orthodhokse, gjithkush që dëshiron mund të lexojë në artikujt e Enciklopedisë orthodhokse, që botohet tek ne në vend. Në vitet e fundit në Rusi janë botuar jetët e disa shenjtorëve shqiptarë. Me hulumtime fondamentale në fushën e historisë dhe kulturës së Shqipërisë merren aktivisht shkencëtarët e Akademisë së Shkencave të Federatës Ruse, vepron Shoqata Ruse "Miqtë e Shqipërisë".

"Ditët e kulturës shpirtërore të Shqipërisë" janë projektuar për të ringjallur dialogun bilateral mes dy vendeve. Ndër të tjera edhe në sferën e biznesit. Kurse interesat reciproke, siç tregoi mjaft qartë biznes forumi i fundit ruso-shqiptar, përfshijnë kompleksin energjetik dhe të lëndëve djegëse, bujqësinë, turizmin, peshkimin, industrinë minerare, sferën e informacionit dhe komunikimit.