Qeveria e Filipineve dhe rebelët islamikë nënshkruan të hënën një marrëveshje, në të cilën përshkruhen deri në detaje fazat e zgjidhjes së konfliktit ndërmjet tyre.

Plani për rregullimin synon të sjellë paqe në jug të këtij vendi kryesisht katolik, ku për 40 vjet islamistët kanë luftuar për të krijuar një shtet të pavarur në ishullin Mindanao. Marrëveshja parashikon që rebelët të heqin dorë nga pretendimet për të krijuar një shtet të pavarur në këmbim të një autonomie të gjerë të rajonit.

Gjatë konfliktit në ishullin Mindanao janë vrarë rreth 150 mijë vetë, ndërsa ekonomia e rajonit është dëmtuar rëndë.