0Reduktimi i theksuar i numrit të gjitarëve më të mëdhenj tokësorë në Evropë - bizonëve - i detyroi ambientalistët të fillojnë të merren urgjentisht me mbarështimin e tyre. Popullatat e fundit të egra të kësaj specie janë asgjësuar që në fillim të shekullit të kaluar. Kau i egër (bizoni) është përfshirë në Librin e Kuq të Rusisë (pra, të specive në zhdukje e sipër) dhe tani ai mund të ndeshet vetëm në rezervate. Mbarështohen këto kafshë aktualisht në rezervatin Oka, i cili ndodhet në rajonin Rjazan. Prej këtej, nga Rusia Qëndrore, në Kaukazin e Veriut u sollën 18 bizonë, tregon Drejtori i rezervatit Oka Juri Markin:

- Ne mbajmë posaçërisht për kryqëzim një numër të madh bizonësh race - më të mirët përkatësisht karakteristikave të tyre gjenetike. Ne zgjedhim nga kjo kope dema dhe femra dhe i lëshojmë në ato vende, të cilat kanë kaluar ekzaminimin tashmë dhe janë njohur si plotësisht të përshtatshme për mbijetesën e bizonëve.

Grupi i tanishëm i bizonëve "donatorë" do të "injektojë gjak të ri" në dy rezervate kaukaziane - Teberdinski dhe Veriosetinian. Në të dy rezervatet në fjalë ekzistojnë probleme me fondin gjenetik, thotë Zëvendës drejtor i rezervatit Teberdinski Xhamal Tekejev. Bizonët e parë u sollën në Kaukaz në vitin 1969. Pikërisht ata dhe u bënë baza e kopesë së lirë të buajve të egër, tha ai.

- Aktualisht ajo përbëhet nga 13 kokë. Në periudhën e viteve 70-80 të shekullit të kaluar numri i tyre arrinte deri në shtatëdhjetë syresh. Ndërsa tani kopeja është reduktuar në mënyrë fort të ndjeshme, deri në disa herë. Shkak kryesor për këtë u bë kryqëzimi midis kafshëve “me farefisin më të afërt”, si rezultat i të cilit ose nuk lindnin pasardhës, ose ata që dilnin megjithatë në dritë nuk ishin të aftë të mbijetonin. Prandaj u vendos që të sillen bizonë të rinj për të rinovuar, ripërtërirë fondin gjenetik.

Tetë bizonë elitarë do të përmirësojnë racën në rezervatin Teberdinski, ndërsa edhe dhjetë të tjerë në rezervatin Veriosetinian. Të gjithë ata janë duke kaluar tani periudhën një mujore të karantinës, adaptimit me jetën e re dhe përshtatjes me klimën në një rrethim special me sipërfaqe rreth 5 hektarë. Pas 30 ditësh ata do të lihen të lirë në natyrë dhe do të bashkohen me grupin e buajve të egër.

Popullata "natyrore, e egër" e bizonëve në pyjet e pjesës evropiane të Rusisë po krijohet që nga viti 1996 me mbështetjen e filialit të WWF të Gjermanisë. Tani numri i kafshëve është mëse i mjaftueshëm me qëllim që krerët e tyre të rriten dhe të zhvillohen në mënyrë të pavarur. Madje më tepër se kaq, ekzistojnë mundësitë për ta ndarë "materialin" e disponueshëm me rajonin e Kaukazit. Lufta për mbijetesën e bizonit në Kaukaz është njëfarë restaurimi i drejtësisë historike. Në kohët e lashta numri më i madh i buajve të egër jetonte pikërisht në rrafshnaltat e rajonit malor të Kaukazit. Me kalimin e kohës njerëzit i përzunë ata nga vendet e jetesës së tyre dhe habitati i bizonëve pësoi reduktim të qenësishëm. Tani erdhi koha për të ndrequr gabimet e bëra.