Gjykata e Los Angeles ditën e mërkurë vendosi të mbajë nën arrest producentin e filmit "Pafajësia e myslimanëve" Mark Basseley Youssef deri sa të merret vendimi përfundimtar. I njohur gjithashtu dhe me emrin Nakoula Basseley Nakoula, i pandehuri mohon kategorikisht  të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.

0Mark Basseley Youssef u arrestua për shkelje të rregullave të lirimit me kusht, pasi ai u lirua me kusht nga burgu para kohe në vitin 2011, ku mbahej për mashtrim. Ndërkohë një prej dënimeve ishte ndalimi për të përdorur Internetin. Nëse Prokuroria do të mund të provojnë përfshirjen e tij në postimin në web të fragmenteve të filmit "Pafajësia e myslimanëve", gjë që shkaktoi një valë të fuqishme protestash në botën arabe, i dyshuari do të duhet të rikthehet në burg.