Por ekspertët e venë në dyshim faktin, se pjesëmarrja e "ëndërrimtarëve" do të ndihmojë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes që ka të bëjë me statusin e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike ruso-gjeorgjiane bisedimet e Gjenevës u bënë platforma kryesore për vazhdimin e dialogut mes Moskës dhe Tbilisit. Raundi aktual i bisedimeve është tashmë i 21-ti. Deri më tani këto takime nuk kanë sjellë ndonjë rezultat të ndjeshëm, të qenësishëm. Por kësaj here si vëzhgues kanë shkuar në Gjenevë përfaqësuesit e autoriteteve të reja gjeorgjiane - Georgi Volskij dhe Paata Zakareshvili. Në prag të nisjes për në Zvicër Volskij deklaroi, se Gjeorgjia duhet të rreshtë së quajturi "kukulla" (“marioneta”) përfaqësuesit e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Ai premtoi gjithashtu, pas kthimit nga Gjeneva, formulimin e strategjisë së re të Tbilisit në marrëdhëniet e ndërsjellta me këto republika. Pavarësisht nga fakti se përkrahësit e Paata Ivanishvili shfaqin prirje shumë më konstruktive, nuk duhet pritur ndonjë përparim i menjëhershëm në negociatat e sipërpërmendura, mendon Presidenti i Fondacionit Gjeorgjian për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare Aleksandër Rondeli:

- Unë nuk besoj se ja, tani, do të mund të arrihet një hop i dukshëm në to. Por vetë fakti, se për pjesëmarrje në bisedimet e Gjenevës janë nisur përfaqësuesit e koalicionit "Ëndrra e Gjeorgjisë", do të thotë se ky bashkëpunim tashmë filloi.

Edhe më pak optimist shprehet në lidhje me problemin në fjalë eksperti rus për Kaukazin Ivan Suhov. Sipas fjalëve të tij, madje dhe vetë organizatorët e negociatave të Gjenevës e kuptojnë për mrekulli, se është e pamundur në parim arritja e një progresi të qenësishëm në to tani. Apriori palët e përfshira në bisedime kanë ide, përfytyrime krejtësisht të ndryshme rreth asaj, se ç’pamje duhet të ketë harta e Kaukazit të Jugut. Gjeorgjia, si dhe më parë, vazhdon t’i konsiderojë Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si territore të saj. Rusia, tashmë që katër vjet më parë, e ka njohur sovranitetin e tyre dhe nuk ka ndërmend ta rishqyrtojë këtë vendim. Përveç kësaj, vetë Tskhinval dhe Sukhum nuk pranojnë në mënyrë kategorike të heqin dorë nga pavarësia e vet.

Megjithatë, asnjë nga ekspertët nuk i cilëson si të padobishme bisedimet e Gjenevës. Së pari, sepse dialogu, qoftë edhe pa ndonjë progres të veçantë, është gjithmonë më mirë se mungesa absolute e tij. Së dyti, përveç statusit të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, në Gjenevë palët do të diskutohen edhe çështje të tjera. Në veçanti fjalë bëhet për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të njerëzve konkretë, të cilët jetojnë në zonat kufitare. Dhe kjo e marrë në vetvete është tejet e rëndësishme.