Ekzoplaneti i madh shkëmbor në konstelacionin e Gaforres, që ndodhet 40 vjet drite larg nga Toka, mund të jetë një diamant gjigant. Siç deklarojnë astronomët amerikanë në një artikull shkencor, kjo është përpjekja e tyre e parë për të studiuar strukturën e brendshme të një planeti shkëmbor. Planeti i quajtur 55 Cancri E rrotullohet rreth orbitës së një ylli që mund të shihet nga Toka me sy të lirë.

Planeti ka gjasa të jetë një diamant gjigant ose një përzierje e shtresave të grafitit dhe diamantit. Këtë e dëshmon edhe sasia e madhe e karbonit në thellësitë e 55 Cancri E, e cila nuk gjendet në Tokë apo në planetet e ngjashme me të në sistemin diellor dhe përtej tij. Sipas llogaritjeve të astronomëve, shtresat e diamantit zënë të paktën një të tretën e planetit.