0Përbërjen e re të Knesset-it izraelitët, ka shumë gjasa, që do të jenë të detyruar ta zgjedhin brenda tre muajve. Në sajë të burimeve të veta në qeverinë izraelite Radiokompania "Zëri i Rusisë" njoftoi mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare që para shpalljes zyrtarisht të kësaj.

Deklaratën e vet Kryeministri Netanyahu e bëri të martën në mbrëmje në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Sipas fjalëve të Benjamin Netanyahu, ai e ndërmorri këtë hap pasi dështoi përpjekja e tij për të arritur në marrëveshje me drejtuesit e partive parlamentare për formimin e buxhetit. Kryeministri sqaroi, se në vigjilje të zgjedhjeve ata mendojnë më shumë për perspektivat e tyre elektorale se sa për të mirën e të gjithë vendit. Buxheti nuk u arrit të miratohet dot për shkak të problemeve ekonomike të Izraelit, mendon analisti politik izraelit Avigdor Eskin:

- Nevojiteshin masa që nuk do të gëzonin fort popullaritet dhe që mund të shkaktonin protesta sociale. Prandaj Netanjahu në mënyrë mjaft të arsyeshme dhe largpamëse vendosi t’i mbajë zgjedhjet 8-9 muaj para afatit të caktuar, me qëllim që duke i siguruar vetes një fitore mjaft të lehtë, të miratojë buxhetin.

Ekspertët parashikojnë, se përbërja e parlamentit të ri do të jetë pothuajse identike me atë aktuale. Forcë kryesore në të do të vazhdojnë të jetë partia e Benjamin Netanyahu - "Likud". Në përgjithësi, në Knesset do të dominojnë partitë e djathta dhe centriste. Kësaj do t’i shërbejë situata e krijuar në kufijtë e Izraelit, mendon bashkëpunëtori i vjetër shkencor i degës së Izraelit dhe komuniteteve hebraike të Institutit rus të Orientalistikës Dimitri Marjasis:

- Kërcënimi i luftës me Iranin, i cili në njëfarë mënyre është diskutuar tashmë në shoqëri. Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, e lidhur me ngjarjet e kryengritjeve arabe. Kërcënimi në kufirin me Sirinë dhe marrëdhëniet jo fort të qarta me Egjiptin - të gjithë këta faktorë ndikojnë tradicionalisht në rritjen e popullaritetit të të djathtëve. Unë jam i prirur të mendoj se udhëheqësit kryesorë, të cilët tani janë në timonin e drejtimit të vendit, do të vazhdojnë të mbeten në pushtet.

0Duhet të theksohet se zgjedhjet e parakohshme janë një dukuri e zakonshme në Izrael. Për 40 vjet vetëm një përbërje e Knesset-it ka arritur të punojë në mandat të plotë. I gjithë problemi konsiston në faktin, se në Izrael është shumë e ulët barriera hyrëse në parlamnent - vetëm 2%. Kjo u lejon partive të shumta qasjen në parlament. Ndërsa në kushte të tilla është jashtëzakonisht e vështirë të krijohet një koalicion i qëndrueshëm.