Koreja e Veriut zotëron raketa balistike ndërkontinentale të afta për të arritur territorin e Shteteve të Bashkuara. Kjo është deklaruar nga përfaqësuesi i Komisionit Shtetëror të Mbrojtjes të Republikës Popullore Demokratike të Koresë.

Sipas fjalëve të tij, raketat janë pozicionuar në mënyrë të tillë që të godasin objektet ushtarake amerikane të vendosura jo vetëm në Gadishullin Korean, por edhe në Japoni dhe madje në territorin e vetë Shteteve të Bashkuara.

Sipas të dhënave të mediave koreano-jugore, raketa "Taepodong-2", e prodhuar në Korenë e Veriut, mund të përshkojë një distancë prej më shumë se 6.700 km, ç’ka i lejon asaj të fluturojë deri në disa territore të SHBA-ve. Ç’është e vërteta, përpjekja e fundit për lëshimin e saj përfundoi me dështim të plotë.