0Ndërkohë, në vetë këtë Mbretëri po shpërthen konflikti midis autoriteteve laike dhe islamistëve.

Në kryeqytetin e Jordanisë Aman u zhvilluan demonstrata shumë mijëra vetëshe. Shkas për vërshimin e tyre shërbeu vendimi i Mbretit Abdullah II për shpërndarjen e parlamentit. Monarku u detyrua ta ndërmarrë këtë hap për t’i dalë përpara "Vëllazërisë Myslimane" - forcës më të organizuar opozitare në Mbretëri. Pas fillimit të "Pranverës arabe", "vëllezërit" nisën të kërkojnë zhvillimin e reformave, të cilat parashikojnë transferimin e pushtetit nga mbreti te kryetari i qeverisë. Ndërkaq kryeministrin duhet ta zgjedhë partia fituese në zgjedhje dhe jo ta emërojë monarku, si është bërë kjo deri tani. Si një koncesion nga ana e vet Abdullah II shpalli, se parlamenti i ri do të formohet në përputhje me rregullat, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për partinë fituese. Megjithatë, "Vëllazëria Myslimane" e vlerësoi këtë koncesion si një masë gjysmake dhe nxorri mbështetësit e vet me protesta në rrugë. Situatën e krijuar e komenton për “Zërin e Rusisë” orientalisti rus Sergei Seriogiçev:

- "Vëllazëria Myslimane" shfrytëzoi në favor të vet përkeqësimin e situatës në Jordani për shkak të fluksit të madh të refugjatëve sirianë që vërshuan në vend. Në sfondin e ngjarjeve në Libi, Egjipt dhe vende të tjera të botës arabe ajo, sigurisht, po bëhet gjithnjë e më aktive. Tani për tani anëtarët e saj kërkojnë vetëm reforma politike, por, siç e dimë tashmë fort mirë të gjithë ne, edhe në Egjipt gjithçka filloi pikërisht me këtë.

Deri kohët e fundit Jordania është konsideruar si një ishull i stabilitetit në rajon. Amani ka mbajtur marrëdhënie të mira si me fqinjët e vet arabë, ashtu dhe me Shtetet e Bashkuara. Përveç kësaj, Jordania është një nga dy shtete arabe që kanë nënshkruar traktatin e paqes me Izraelin. Nëse në Jordani do të vijë në fuqi "Vëllezëria Myslimane", atëhere kjo do të jetë e mbarsur me pasoja negative për të gjithë Lindjen e Mesme.

0Zhvillimi i ngjarjeve në Jordani po i bën mjaft nervozë partnerët e saj të jashtëm. Dhe fjalë në këtë rast nuk bëhet vetëm për SHBA-në dhe Izraelin. I gjithë problemi konsiston në faktin, se deri tani "Pranvera arabe" ka përmbysur vetëm regjimet laike. Protestat, të cilat janë duke marrë aktualisht vrull në Mbretëri, shërbejnë si një sinjal tejet alarmues për familjen mbretërore të Arabisë Saudite. Islamistët tashmë që prej shumë kohësh i kritikojnë anëtarët e saj për marrëdhëniet e tyre shumë të afërta me Uashingtonin. Deri më tani Riad ka mundur t’i kanalizojë pasionet dhe revoltat e qytetarëve të vet, duke e drejtuar vëmendjen e tyre jashtë kufijve të vendit. Për shembull, në drejtim të Sirisë. Por kjo nuk mund të funksionojë e të vazhdojë përjetësisht. Kurse mungesa e reformave dhe monarku i moshuar konservator krijojnë të gjitha kushtet për fillimin e "Pranverës Arabe" edhe në shtetin e sauditëve.