0Ekspozita ngjall te vizitorët mbresa nga më të ndryshmet. Nga njëra anë, nuk është plotësisht korrekt vlerësimi i veprave të piktorëve bashkëkohorë evropianë duke u mbështetur në matësit e zakonshëm standartë: në fund të fundit, ky është këndvështrimi i tyre për Rusinë, ndërsa për shikuesit rusë kjo është një mundësi jo e keqe për të kuptuar se si duken me sytë e të huajve kryeqytetet e Rusisë. Nga ana tjetër, shumica e punëve të habisin me përsëritjen e tyre dhe me nivelin jo më të lartë të mjeshtërisë.

Reagimi i akademikëve rusë të pikturës ndaj punëve të tyre mund të quhet i përmbajtur: Presidenti i Akademisë Ruse të Arteve Zurab Cereteli në ceremoninë e hapjes së ekspozitës foli, para së gjithash, për mënyrën e re të të perceptuarit, të të menduarit, dhe jo për shkollën e mirëfilltë të pikturës.

Peizazhet urbane, portretet e klasikëve të letërsisë ruse, abstraksionet dhe ritrajtimi i kubizmit - kështu e ndjenë, e perceptuan Rusinë piktorët evropianë. Realizmi ndjehet shumë pak, ndoshta, e vetmja pikturë, e punuar në stil klasik, mund të quhet vepra mistike e piktores spanjolle Arançasu Martinez "Vasilisa e urtë".

Marcos Marin e pasqyroi Rusinë nëpërmjet identitetit të presidentit. Siç pranon vetë piktori, për të portreti i liderit të shtetit nuk është dhe aq imazh i një veprimtari politik, sesa "komponent përbërës i imazhit, dhe pikërisht shembëlltyrës së vendit".

Diogo Navarro nga Portugalia prezantoi peizazhe shumë interesante, në të cilat ndihet fare qartë ndikimi i klasikut të pikturës britanike William Turner. Në ditikun (ang. diptych) e tij "Moska dhe Shën Petersburgu" ai përdori jo vetëm bojërat: në ndihmë atij i erdhën edhe zamku, allçija, madje dhe çimentoja, të cilën ia dhanë disa punëtorë në rrugë. "Tani një pjesë e vendit tuaj ndodhet fizikisht në ditikun tim", - thotë artisti.

0Secili nga piktorët e pa Rusinë me këndvështrimin e vet personal, të papërsëritshëm. Dikujt ajo i është përfytyruar me imazhin e një plake flakë të kuqe, dikë tjetër e frymëzoi për krijimin e shatërvanit të artë - njëfarë Briri i bollëkut i shekullit XXI. Përvoja e artistëve evropianë mund të traktohet në mënyra të ndryshme, por nuk mund të mohohet megjithatë se kjo përpjekje artistike për të ndjerë vendin është mjaft interesante në vetvete.