0Në parim, kjo është mëse e mjaftueshme për të ndaluar rritjen e çmimeve, vë në dukje Presidenti i Bashkimit rus të Drithit Arkadi Zlloçevskij:

- Kjo masë do të reduktojë në mënyrë të konsiderueshme kërkesën dhe do të fashitë azhiotazhin e panikun. Dushi i ftohtë nga ana e qeverisë mund të ushtrojë një ndikim të qenësishëm në ato rajone, ku nuk do të realizohen intervencionet e drithërave.

Aktualisht në Rusi janë mbledhur 68 milionë ton drith. Në fund të fushatës të korrat do të përbëjnë 77 milionë ton. Thatësira që bëri sivjet në shumë rajone të Rusisë pengoi përsëritjen e rezultateve të vitit të kaluar. Kjo shkaktoi rritjen e çmimeve të drithërave. Pavarësisht nga ky fakt, shteti rus nuk planifikon vendosjen e embargos mbi eksportin e tyre. Në fillim të tetorit shitjet jashtë vendit të drithërave të prodhimit të këtij vitit arritën në 7.5 milionë ton. Përveç kësaj, Rusia po zgjeron gjeografinë e eksporteve të veta, nxjerr në pah Arkadi Zlloçevskij:

- Blerësi më i madh i drithërave ruse është Egjipti. Mbas tij, në vendin e dytë, renditet Turqia, pastaj Jordania, Arabia Saudite, e gjithë Afrika e Veriut, e gjithë Lindja e Mesme. E blejnë drithin rus edhe Italia, Spanja dhe Greqia. Dërgesa drithi janë duke u realizuar gjithashtu në Amerikën Latine: Kili, Ekuador. Blejnë kryesisht grurin e butë të klasës së katërt të kualitetit.

0Në përgjithësi, gjatë këtij viti bujqësor (nga korriku i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2013) eksporti i drithit nga Rusia, sipas vlerësimit të ekspertëve, do të arrijë treguesin 14 milionë ton. Blerëse të tij janë korporatat transnacionale, të cilat ua rishesin atë më pas konsumatorëve.