Shkarko audiofailin


Fakti që në BE të gjithë janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët, është i njohur tashmë që prej kohësh. Për t’i ngritur, tërhequr “të dobëtit, të pafuqishmit” deri në nivelin e përgjithshëm u përpilua programi bazë i pagëzuar me emrin e bujshëm, pompoz "Politika e Kohezionit".

Kjo "Politikë" ka formuar një rreth miqsh nga vendet-rishtare të Bashkimit. Dhe ja ata vendosën që të deklarojnë bashkarisht mbi kërkesat e veta, të cilat, në mënyrë plotësisht të pritshme, të parashikueshme, gjetën jehonë ndër pjesëmarrësit e eurozonës të përfshirë totalisht në vorbullën e krizës financiare - Greqia, Spanja, Portugalia, Qipro. Dhe pas kësaj në Bratisllavë me thirrjen e Kryeministrit lokal Robert Fico u organizua samiti i miqve me interesa të njëjta. Po për çfarë mund të bëhet fjalë në të? Ne iu drejtuam me këtë pyetje publicistit Dushan Kerni (Dusan Kerny), duke i telefonuar atij në Bratisllavë:

- Në takimin e kryetarëve të grupit të shteteve, në prani të krerëve të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, fjalë do të bëhet për paratë. Prandaj me samitin u bashkua edhe Kroacia, e cila ndodhet aktualisht në pragun e derës të BE-së. Forumi në fjalë është i pazakontë: për herë të parë anëtarët e rinj të Bashkimit Evropian dhe 4 vende të zonës së euros kanë marrë vendimin për të përpunuar një pozitë të koordinuar, të bashkërenditur për formimin e një buxheti të përgjithshëm. Ne jemi duke krijuar njëfarë "grupi presioni". Ne jemi të mendimit se në situatën e krizës financiare nuk duhet kurrsesi t’ia lëmë plotësisht nën kontroll institucioneve evropiane shpërndarjen e mjeteve buxhetore.

Ne të gjithë jemi fort të shqetësuar në lidhje me pikësynimin e Komisionit Evropian për të reduktuar financimin për Fondin e Kohezionit (Cohesion Fund). Domethënë, për t’i bërë bisht angazhimeve të veta fillestare për mbështetjen e vendeve dhe rajoneve që nuk janë të afta të arrijnë në ekonomitë e veta nivelin e standardeve evropiane. Fjalë bëhet për shuma jashtëzakonisht të mëdha, impresionuese, do të thoja! Konkretisht për rreth 157 miliardë €, të cilat duhet të derdhen në Fondin e Kohezionit në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020.

Kur na propozuan që të nënshkruajmë Traktatin e Lisbonës, atëhere na premtuan se ekonomia evropiane do të bëhet më e fuqishmja në botë gjatë 10 viteve të ardhshme. Sot për të gjithë është bërë mëse e qartë, se të gjitha këto nuk ishin gjë tjetër veçse iluzion i burokratëve, pritje të larta ireale. Gjatë këtyre viteve kanë marrë vrull të madh ekonomitë e SHBA-s dhe Kinës. Ndërsa Europa është zhytur në vorbullën e problemeve jashtëzakonisht të mëdha ekonomike. Por, për të qenë të drejtë e të paanshëm, duhet të vihen në pah edhe një sërë arritjesh të saj. Krijimi i Shengenit lejoi megjithatë zgjidhjen shumë më efikase të problemeve të punësimit, u krijuan deri në një milion vende pune, po ndërtohen uzina, po shtrohen rrugë hekurudhore. Nëse nuk do të kishte qenë Fondi i Kohezionit, atëhere Republika Sllovake, për shembull, aktualisht do të ishte ndodhur në recesion të thellë.

Pavarësisht nga të gjitha këto, shtoi në përfundim Dushan Kerni, në Sllovaki ka pasur një rritje të nivelit të varfërisë jo ndër grupet më të pambrojtura të popullsisë, por në mesin e qytetarëve të rinj, ekonomikisht aktive. Kjo nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë në historinë e kohëve të fundit të këtij vendi. A do të jetë në gjendje vallë grupi i lobistëve të mbrojë pozicionin e vet përpara Evropës së Vjetër? Bashkëbiseduesi ynë e vë fort në dyshim këtë. Sepse, në fund të fundit, me zgjidhjen e problemit të buxhetit do të merren Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian, ku zërat e "lokomotivave" të Bashkimit, të po asaj Gjermanie dhe France, kanë peshë ku e ku më të madhe...