0Sot, dega kozmike e industrisë së Rusisë po përballet me probleme serioze, të afta të ushtrojnë ndikim negativ në zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Këto probleme mund të numërohen pafund, por si përfundim çështja kryesore mbetet megjithatë mungesa e specialistëve. Në ndërmarrjet dhe byrotë e projektimit po mbeten gjithnjë e më pak njerëz të aftë për t’i dhënë specialistëve të rinj përvojën përkatëse. Sepse ata që duhej ta bënin aktualisht këtë gjë, pasi u diplomuan në vitet ‘90, filluan të sistemohen në punë kudo që të ishte e mundur, veçse jo në degën kozmike të industrisë së vendit.

Mungesa e theksuar e kuadrove u bë një nga shkaqet kryesore të krizës sistemike të kozmonautikës ruse, një nga shenjat evidente të së cilës është bërë seria e aksidenteve gjatë viteve të fundit. Përpjekja për të vazhduar zhvillimin e degës "me mënyra të lira” (jo shumë të kushtueshme), duke u mbështetur në specialistët e mbijetuar të plejadës së kuadrove sovjetikë dhe punësimi i të rinjve me pagë të ulët, e ka vënë degën kozmike të industrisë së vendit në një situatë kritike fort të rrezikshme.

Megjithatë, potenciali për zhvillim vazhdon të ruhet ende dhe një sërë projektesh, që aktualisht po zhvillohen në kozmonautikën ruse, mund të bëhen pikënisje për rivendosjen e fuqisë së degës kozmike në tërësi. Ndër më të rëndësishmit mund të veçohet programi për krijimin e një familje të re raketëmbajtësesh "Angara": lëshimi i saj pritet në periudhën pranverë-verë të vitit 2013, kurse në kozmodromin “Plesetsk” në rajonin Arhangelsk po zhvillohet intensivisht përgatitja e kompleksit të startit për raketën e re.

Suksese serioze janë arritur në krijimin e aparateve kozmike të gjeneratës së re. Zgjatja e jetës së aparateve të Sistemit Satelitor Global të Navigacionit (GLONASS) deri në 7 vjet lejoi më në fund funksionimin e GLONASS-it në mënyrë të plotë - 24 aparate operative, pa llogaritur ato rezervë.

Në të ardhmen satelitët e sistemit GLONASS do të shërbejnë për 10 vjet e më shumë - një rritje e tillë e jetëgjatësisë së tyre është bërë e mundur falë aplikimit të “platformave të hapura" nga industria ruse, të cilat nuk kërkojnë hermetizimin dhe ruajtjen e mikroklimës së përshtatshme brenda aparatit.

0Satelitët po bëhen më të vegjël, më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm, gjë kjo që do të lejojë në të ardhmen rritjen e konsiderueshme të numrit të tyre. Kurse pa një infrastrukturë të zhvilluar kozmike, elementet e së cilës përdoren gjithkund, është e pamundur të imagjinohet jeta bashkëkohore. Dhe nga ajo, se sa efektivisht do të mund të zhvillojë Rusia në vitet e afërta degën e vet kozmike, do të varet në mënyrë të drejtpërdrejtë prestigji i vendit, mundësia për të fituar me eksportin e teknologjisë së lartë si dhe siguria në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale: që nga mundësia për të thirrur shërbimet emergjente në tajgën e largët e të shurdhët e deri tek frenimi bërthamor.