0Kjo nuk do të thotë se elektrostacionet atomike evropiane janë të pasigurta ose të rrezikshme, thjesht kërkesat ndaj tyre sa vjen e rreptësohen.

Përfundimet e verifikimeve janë të ndryshme: pothuajse në të gjitha centralet bërthamore nevojitet përmirësimi i sistemeve të sigurisë, megjithatë ekspertët theksojnë se nuk ia vlen të krijohet një gjendje paniku - elektrostacionet atomike evropiane janë plotësisht të besueshme. Mendimin e ekspertëve evropianë e mbështet edhe anëtari i Këshillit për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Rusisë Vladimir Averçev. Ai konfirmoi se e gjithë historia e energjisë bërthamore në Botën e Vjetër nuk ka dhënë ndonjëherë arsye për shqetësim:

- Nëse stress-testet do të kishin zbuluar të meta themelore konstruktive të vetë reaktorëve, ne do të kishim një valë të tillë shpërthyese në Evropë që askujt nuk do t’i dukej e pakët. Natyrisht, ne kemi të bëjmë me mangësi të pjesshme, të cilat mund të eliminohen.
Në bazë të rezultateve të stress-testeve janë bërë të ditura shumat e përafërta, të cilat mund të nevojiten për të përmirësuar sigurinë e centraleve bërthamorë - nga 30 deri në 200 milionë euro për çdo reaktor bërthamor.

Shuma të tilla kaq të mëdha shpjegohen me faktin se një pjesë e mirë e elektrostacioneve atomike, që funksionojnë aktualisht, janë projektuar 30-40 vjet më parë. Standardet e sigurisë kanë ndryshuar që atëherë. Pas tragjedisë në Japoni kërkesat ndaj centraleve bërthamore u bënë veçanërisht të rrepta, vë në dukje Zëdhënësi i Rosatom Sergei Novikov:

- Nuk kërkohej, për shembull, ekzistenca e detyrueshme e shtresës mbrojtëse në projekt. Sot këto kërkesa ekzistojnë. Të gjitha stacionet e reja po pajisen me shtresa mbrojtëse. Kjo nuk do të thotë se ato që tashmë funksionojnë janë më pak të besueshme.

0Eksperti thekson se askush nuk flet për mbylljen e parakohshme të centraleve bërthamore ekzistuese. Bëhet fjalë për faktin se duhet të ndërtohen sa më shpejt elektrostacione të reja atomike, të cilat gradualisht do të zëvendësojnë ato të vjetra. Raporti i Komisionit Evropian nuk do të ndikojë në strategjitë energjetike të fuqive evropiane. Gjermania, e cila pas incidentit në "Fukushima-1" nën presionin e "të gjelbërve" mori drejtimin e refuzimit të energjisë bërthamore, do ta vazhdojë atë. Franca, ku elektrostacionet atomike prodhojnë më shumë se 70% të energjisë elektrike, si dhe më parë, do të vazhdojë të zhvillojë energjinë bërthamore.