0Krateri Patomskiy ngrihet mbi Tajgën siberiane si një piramidë egjiptiane. Gjuetarët lokalë e pagëzuan atë me emrin "Foleja e Shqiponjës së Zjarrtë". Nga helikopteri ky kon gëlqeror ngjyrë gri duket me të vërtetë si një fole jashtëzakonisht e madhe. Lartësia e tij është 40 metra, ndërsa diametri 160 metra, sipërfaqe kjo e krahasueshme me dy fusha futbolli. Maja e këtij koni është e sheshtë. Në qendër të tij, si vezë gjigante, ngrihet një kodër 12-metra e lartë.

Origjinën e "Foleja e Shqiponjës së Zjarrtë" janë përpjekur ta përcaktojnë tashmë tetë ekspedita shkencore. Por as versionin e rënies së meteorit dhe as versionin ufologjik të kraterit Patomskiy ato nuk mundën ta konfirmojnë dot. Të dhënat e mbledhura lejuan të presupozohet se ai mund të jetë një i ashtuquajtur krio-vullkan. Ai ka shumë mundësi të jetë shfaqur në kushtet e ngricës së përjetshme (permafrostit) rreth 500 vjet më parë, domethënë në Epokën e Vogël të Akullit (akullnajave). Drejtori i Institutit të studimit të Kores së Tokës Dimitri Glladkoçub shpjegon se si mund të ketë lindur një objekt kaq i pazakontë përkatësisht formës së vet:

- Si rezultat i ngrirjes afatgjatë të burimeve të ujërave nëntokësore ka ndodhur bymimi gradual i sipërfaqes. Pas ndryshimit të klimës - fillimit të ngrohjes - akulli brenda shkriu dhe pjesa qendrore e kodrës nën veprimin e forcës së gravitetit u shemb duke formuar një reliev të tillë misterioz.

Shkencëtari nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të formimit të mëtejshëm të krateri Patomskiy. Me qëllim të konfirmimit të kësaj hipotezë në pika të shumta të kraterit janë instaluar sensorë të posaçëm. Nëse vitin e ardhshëm shkencëtarët do të shohin se pozicioni i tyre ka ndryshuar, atëhere kjo do të thotë se krateri është i gjallë.

Gjatë ekspeditës së ardhshme është planifikuar zhvillimi i një serie të tërë studimesh të reja. Pajisjet moderne do të mundësojnë studimin e kraterit në thellësinë deri në 1.5 kilometra dhe marrjen e një informacioni më të plotë në lidhje me strukturën e tij.

0Krateri Patomskiy u zbulua prej gjeologut Vadim Kollpakov nga Irkutsku në vitin 1949. Që nga ajo kohë "Foleja e Shqiponjës së Zjarrtë" nxit e ngacmon ethshëm mendjet e shkencëtarëve në mbarë botën. Autoritetet e rajonit Irkutsk po merren aktualisht me zgjidhjen e çështjes që ka të bëjë me vendosjen e zonës nën mbrojtje të veçantë në vendndodhjen e objektit të pazakontë gjeologjik.