Shumë vëzhgues ia atribuojnë humbjen e Saakashvilit recesionit ekonomik dhe ndjenjësisë në rritje të pasigurisë dhe pambrojtshmërisë së qytetarit të thjeshtë përballë arbitraritetit të autoriteteve pushtetore. Megjithatë, një nga faktorët jo më pak të rëndësishëm se ata të sipërpërmendur doli të jetë shkelja e dinjitetit kombëtar të gjeorgjianëve.

Kreu i Bashkimit të Gjeorgjianëve në Rusi Mihaill Hubutia (Mikhail Khubutia) në këtë mënyrë ka reaguar ndaj rezultateve të zgjedhjeve: "Njerëzit tanë (populli ynë) nuk janë të gatshëm të pajtohen me diktatin dhe poshtërimin. Amerikanizimi artificial i Gjeorgjisë dhe përpjekja për të prishur lidhjet tona tejet të hershme shumë shekullore me Rusinë janë krejtësisht të panatyrshme. Për këtë dhe i treguan mbarë botës bashkatdhetarët tanë".

Kreu i Diasporës Gjeorgjiane në Rusi theksoi gjithashtu, se administrata e Saakashvilit ka mbajtur një qëndrim totalisht shpërfillës ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë përtej kufijve të Gjeorgjisë. Të gjitha përpjekjet e ndërmarra për vendosjen e shkëmbimit kulturor dhe bashkëpunimit në fushat jo-politike kanë hasur në një mur guri. Madje më tepër se kaq, Zëvendës-presidenti i "Bashkimit të gjeorgjianëve në Rusi" Profesor Vissarion Hvinteliani u arrestua dhe u dënua në Gjeorgji për motive (arsye) politike.

Rezultat kryesor i drejtimit të Mihaill Saakashvilit duhet të konsiderohet humbja nga Gjeorgjia e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Politika e ndjekur prej tij çoi në rezultate krejtësisht të kundërta, nëse do të supozohet se qëllim i vërtetë i Saakashvilit ishte forcimi i Gjeorgjisë dhe sigurimi i integritetit territorial të saj. Gjatë drejtimit të pushtetit nga Mihaill Sakashvili askush nuk ka patur ndërmend të ngrejë në të vërtetë për zgjidhje çështjen e treqind mijë refugjatëve gjeorgjianë nga Abkhazia, shumica e të cilëve u vendosën në Rusi. Askush nuk kishte planifikuar gjithashtu zhvillimin e bisedimeve në lidhje me statusin e ardhshëm të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.
Ndërkohë Rusia është po aq e interesuar në zgjidhjen e fatit të më shumë se një mijë gjeorgjianëve, të cilët u dëbuan me forcë nga Abkhazia në vitin 1993. Shumica e tyre nuk ka marrë shtetësinë ruse për shkak të paprekshmërisë të së drejtës së vet për t'u kthyer në Sukhum dhe zonat përreth. Pra, këta njerëz u ndodhën në një pozitë tejet të vështirë në pritje të kthimit në trojet amtare, duke u ndodhur në statusin e refugjatëve nga një vend i huaj.

Problemet e Kaukazit nuk do të gjejnë dot zgjidhje ashtu vetëvetiu pas largimit të Mihaill Saakashvilit. Por pas largimit të tij mund të flitet mbi mësimet e nxjerra për të gjithë rajonin: spostimi, distancimi i Rusisë nga rajoni i Kaukazit është i pamundur për shkak të statusit të saj gjeopolitik, zgjidhja e problemeve të akumuluara shumë të mprehta me mjete ushtarake mund të çojë në rezultate krejtësisht të kundërta nga ato të dëshiruarat.