0Katari deklaroi mbi paaftësinë e Këshillit të Sigurimit për të arritur në një qëndrim të përbashkët mbi zgjidhjen e konfliktit sirian. Emiri i Katarit mendon se vendet arabe duhet të merren vetë me trajtimin e problemit dhe të ndërhyjnë në këtë situatë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për t’i dhënë fund krimeve, të tilla si ato që ndodhin në Siri. Ban Ki-moon tërhoqi vëmendjen e delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme mbi situatën në Siri:

- Në vend po shkelen të drejtat e njeriut. Akte brutale të dhunës realizohen nga qeveria, por në të shumtën e rasteve nga opozita. Për akte të tilla të dhunës nuk ekzistojnë afate kufizimi. Detyra jonë është t'i japim fund mosndëshkimit të krimeve të tilla, si në Siri ashtu edhe në vende të tjera.

I dërguari i posaçëm i OKB dhe Lidhjes së Shteteve Arabe për Sirinë Lakhdar Brahimi mendon se luftimi i krizës në këtë vend mund të bazohet në vendimet kolektive të mishëruara në komunikatën e Gjenevës. Lakhdar Brahimi nuk ka ende një plan të plotë për zgjidhjen e konfliktit. Se në çfarë drejtimi I Dërguari i posaçëm në Siri ka ndërmend të lëvizë, u tregoi gazetarëve Zëvendësministri Mihail Bogdanov:

- Ai nuk do të humbasë atë që është bërë gjatë kohës së Kofi Annan. Ai ka mendimin e tij, si të drejtojë punën politike dhe diplomatike me të gjitha palët - dhe me Sirinë, dhe me lojtarët e jashtëm. Qëllimi është të arrijë ndalimin sa më të hershëm të gjakderdhjes dhe fillimin e procesit politik. Lakhdar Brahimi e lexoi me shumë vëmendje komunikatën e Gjenevës dhe beson se atje ka shumë gjëra me rëndësi. Për më tepër që e gjitha kjo u arrit me rrugën e konsensusit. Humbja e këtij themeli, sipas mendimit të tij, do të ishte diçka e pamatur.

0Në hapjen e debatit të përgjithshëm Kryetari i Asamblesë së 67-të të Përgjithshme Vuk Jeremiç kujtoi qëllimin e parë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara - ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Sipas statutit të organizatës, çdolloj mosmarrëveshje duhet të zgjidhet në rrugë paqësore. Diskutimi i situatës në Lindjen e Mesme do të vazhdojë sot, më 26 shtator, në një takim të veçantë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.