Shkarko audiofailin
Vendimi për t’i ofruar një zbritje për gazin rus Bullgarisë në këmbim të “luajalitetit” të saj ndaj tubacionit "South Stream" (“Rryma Jugore”) pritej. Përfitimi final për Rusinë (kur do të zbatohet projekti grandioz dhe mjaft ambicioz) është i pakrahasueshëm me humbjet nga lëshimet e bëra bullgarëve, sepse ky vend është vetëm një konsumator i vogël, komenton Kreu i Fondit rus të Sigurisë Energjetike Kombëtare Konstantin Simonov rezultatet e vizitës në Sofje të Nënkryetarit të koncernit rus "Gazprom" Aleksandër Medvediev.

Atje, siç njoftohet, u nënshkrua protokolli, që përcaktoi pikën e hyrjes së gazsjellësit "South Stream" në sistemin e transportimit të gazit të Bullgarisë, dhe u konfirmuan marrëveshjet për uljen e çmimeve të gazit përkatësisht kontratave afat-gjata:

- Marrëdhëniet e Rusisë me Bullgarinë në sferën e energjetikës kanë një zhvillim të koklavitur, duhet thënë. Madje disa herë pat lindur ideja për zhvendosjen e pikës së daljes së gazsjellësit "South Stream" në sektorin e tij detar në Evropë nga Bullgaria kryeneçe në Rumani. Dy vjet më parë Kreu i Bordit të Drejtorëve të koncernit “Gazprom” Viktor Zubkov ka udhëtuar në Sofje për të zgjidhur këto probleme. Ndërsa ato në sektorin e energjisë kanë ardhur vetëm duke u akumuluar. Ndër to mund të përmendim refuzimin e Kryetarit të qeverisë bullgare Bojko Borisov për të përfunduar ndërtimin e centralit bërthamor “Belene”, për shtrimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis. Megjithëse, dua të theksoj, sa do t’i hynte ai tani në punë vendeve që po vuajnë nga embargo e naftës iraniane!

Çdo vit nëpër tubacionin "South Stream" planifikohet të pompohen deri në 63 miliardë metra kub gaz. Është e qartë se vendet tranzitore, të cilat vënë në dispozicion territoret e veta për shtrimin e tubacionit, kanë përfitime të qenësishme. Ndërsa Bullgaria përveç kësaj i siguroi vetes edhe një ulje prej 11% të çmimeve kontraktuale për furnizimin e gazit rus. Ky kusht ka hyrë në fuqi që më 1 prill të vitit 2012. "Një lëshim i tillë nuk do t’i sjellë ndonjë dëm të madh Rusisë", shprehet me bindje të plotë eksperti moskovit. Në tregun Spot aktualisht çmimet janë më të ulëta se sa ato të kontratave afat-gjata të "Gazprom-it". Duke ndjekur synimin për të mbajtur konsumatorët e vet të përhershëm, ai u ofron zbritje praktikisht të gjithëve. I ofroi zbritje çmimi “Gazprom” edhe Bullgarisë: sepse për të është më i leverdisshëm lansimi i punës së gazsjellësit "South Stream". Vetëm se kur do të ndodhë kjo dhe në ç’gjendje është projekti sot? Eksperti rus Konstantin Simonov sqaron:

- Gjendja e projektit nuk është aspak e keqe, duhet thënë. Me të gjitha vendet, nëpër të cilat do të kalojë tubacioni, janë arritur tashmë marrëveshjet ndërqeveritare, janë krijuar sipërmarrjet e përbashkëta, janë përcaktuar aksionarët e sektorëve tokësorë dhe detarë të tubacionit, dmth. ekziston të kuptuarit komercial të kësaj pune. Vazhdon të ruhet vetëm paqartësia në lidhje me itinerarin e kalimit të tij. Sepse si shumë vende, sidomos në Ballkan, janë të interesuara për të shtruar nëpër territoret e veta degë të itinerarit kryesor të gazsjellësit.

0Por, për fat të keq, nuk po arrihet dot të merret nga BE-ja statusi "prioritet" për tubacionin e gazit “South Stream” ("Rryma Jugore"), gjë kjo që do t’u mbyllë qasjen në të furnizuesve të tjerë. "Edhe pse, madje teorikisht, asnjë tjetër përveç gazit rus, thjesht, nuk mund të pompohet nëpër të", shpjegon Konstantin Simonov. Por BE-ja vazhdon të rezistojë me kokëfortësi. Ndërkohë që ia dha me gatishmëri të plotë statusin e lakmuar projektit të vet "Nabucco". Pavarësisht nga fakti se konkurrenti evropian i “South Stream” ekziston praktikisht vetëm në letër...