0Çdo vit më 4 korrik të gjitha kanalet televizive rumune transmetonin ceremoninë e festimit të Ditës së Pavarësisë të SHBA, që organizohej nga Ambasada Amerikane në Bukuresht, kurse politikanët rumunë, të pranishëm në këtë ceremoni, i shprehnin ngazëllimin, adhurimin dhe besnikërinë e përjetshme "partnerit kryesor strategjik". Referendumi i fundit për dorëheqjen e Presidentit Traian Bashesku e ka ndryshuar në mënyrë të theksuar situatën.

Udhëheqësit e BE-së, përfshirë Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso dhe Zëvendës-presidenten e Komisionit Evropian Viviane Reding, i demonstruan mbështetje në mënyrë publike Presidentit Bashesku. Sipas pohimeve të liderëve të opozitës, pikërisht presioni nga ana e José Manuel Barroso i detyroi ata të bien dakord për vendosjen e pragut elektoral (të paraqitjes së votuesve) në referendum, i cili e shpëtoi nga fajësimi (impiçmenti) Traian Basheskun. Presidenti i papëlqyeshëm dhe pa popullaritet rumun gëzoi mbështetjen e drejtpërdrejtë të disa zyrtarëve e diplomatëve amerikanë, kurse Ambasadori amerikan në Bukuresht Mark Gitenstein ka bërë në mënyrë të përsëritur deklarata publike që vlerësoheshin nga shtypi pro-presidencial si ndihmë ndaj Basheskut, ndërsa nga ai opozitar si ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Rumanisë.

Veprime të tilla të udhëheqësve perëndimorë shkaktuan një shok të vërtetë tek një pjesë e shoqërisë rumune. Në një farë mase u zvetënua, u lëkund kredibiliteti ndaj politikanëve europianë dhe institucioneve qeveritare, Bashkimit Europian si dhe shtypit perëndimor. Për herë të parë në sferën publike filloi të konsiderohet e lejueshme kritika në adresë të BE-së e SHBA-së dhe vënia në pah e pozitës vartëse, të nënshtruar të Rumanisë karshi vendeve të Perëndimit. Politikanët dhe gazetarët rumunë nuk ngurrojnë të përdorin tani shprehje pa kurrfarë frenimi, censure. Ish i ngarkuari i përkohshëm me detyrat e Presidentit Crin Antonescu deklaroi në një intervistë televizive, se Perëndimi ka ushtruar presion të fuqishëm mbi të dhe linte qartë të kuptohet dëshirueshmërinë e kthimit të shpejtë të presidencës Basheskut. Në shtypin opozitar rumun mund të shohësh një larmi të madhe titujsh impresionues anti-europianë dhe anti-amerikanë si, për shembull, : "Çfarë mund t’i kundërvërë parlamenti presionit të Merkel dhe Gitenstein?"; "Pse e ndihmon Traian Basheskun Ambasada Amerikane?"; "Pas 300 viteve të lirisë ne kemi humbur sërish pavarësinë tonë"; "Ne - koloni" e kështu me radhë...

Në intervistën e vet dhënë portalit inpolitics.ro historiani dhe publicisti i njohur Zoe Petre, ish-këshilltar i Presidentit Constantinescu e shpjegon situatën e krijuar në vend me veprimet e politikanëve aktualë evropianë dhe amerikanë: "Në media evidentohet tendenca e distancimit të Rumanisë nga Perëndimi, bazuar në faktin se Perëndimi përçmon zgjedhjen e elektoratin rumun. Kjo është pasojë e qëndrimit pothuajse diktatorial të autoriteteve evropiane dhe amerikane, të cilat kanë refuzuar vazhdimisht t’i vënë veshin argumenteve të kundërshtarëve të Traian Basheskut, duke përsëritur idetë e çmendura të përhapura nga propaganda presidenciale. Të gjitha këto i shërbyen shfaqjes së indinjatës, pakënaqësisë së thellë. Shumë rumunë e ndjenë veten tejet të fyer nga fakti se Perëndimi nuk dëshiroi të dëgjojë zërin e popullit".

Shfaqja e euroskepticizmit rumun në një perspektivë afatshkurtër nuk ka gjasa të ndryshojë situatën politike në vend, ku nuk ka forca politike që do të donin të shfrytëzonin sloganet anti-europiane apo anti-amerikane. Krerët e opozitës, pavarësisht nga pakënaqësia që provojnë në lidhje me veprimet e politikanëve perëndimorë, deklarojnë besnikërinë e vet të patundur ndaj idealeve të "integrimit evropian dhe Veri-Atlantik" me shpresë se Perëndimi do të kuptojë megjithatë një ditë se ata mund të jenë partnerë po aq besnikë dhe të mirë si Traian Bashesku.