0Emiratet e Bashkuara Arabe janë një nga vendet më të zhvilluara të Gjirit Persik, i cili gëzon autoritet jashtëzakonisht të madh në rajon. Ky shtet në shumë gjëra është një model, etalon i vërtetë për vendet e tjera të Lindjes së Mesme. Kjo është arsyeja pse kontrata me Korporatën për Energjinë Atomike të Emirateve (ENEC) ishte kaq e rëndësishme për "Tehsnabeksport", vuri në dukje në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ruse Aleksei Grigoriev:

- Zhvillimin e energjetikës bërthamore në Emiratet e Bashkuara Arabe po e vëzhgojnë aktualisht me vemendje të përqendruar të gjitha vendet e Lindjes së Mesme. Shumë po mendojnë tani: A nuk do të ishte vallë e arsyeshme të ndiqej shembulli i tyre? Ne jemi në dijeni se Arabia Saudite është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e ndërtimit të centralit bërthamor në territorin e vet. Prandaj ne jemi shumë të kënaqur dhe krenarë që arritëm ta fitojmë këtë tender në një konkurrencë të ndershme. Ky fakt konfirmon edhe një herë se produktet e ndërmarrjeve të korporatës shtetërore "Rosatom" janë me aftësi konkurruese dhe gëzojnë kërkesë në tregun global.

ENEC ka lidhur gjithashtu kontrata për furnizimin e karburantit për nevojat e centralit bërthamor që po ndërtohet edhe me pesë furnizues të tjerë - me kompani nga SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca dhe me gjigandin australiano-britanik "Rio Tinto". Shuma totale e kontratave është vlerësuar në 3 miliardë $. Kështu pra, kompania ruse mundi të hyjë në rrethin e ngushtë ndërkombëtar të kompanive udhëheqëse bërthamore të botës, liderëve botërorë të teknologjive në fushën e nxjerrjes, konvertimit dhe pasurimit të uraniumit.

Kompania ruse "Tehsnabeksport" bashkëpunon me 17 vende, realizon furnizimin me produkte dhe ofrimin e shërbimeve të ndërmarrjeve të industrisë bërthamore ruse në Evropë, Amerikë dhe Azi. Një nga partnerët kryesorë të saj janë Shtetet e Bashkuara, meqenëse ky vend disponon parkun më të madh të centraleve bërthamore në botë, vë në dukje Aleksei Grigoriev:

- Ne kemi nënshkruar në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompanitë energjetike amerikane trembëdhjetë kontrata me vlerë totale më shumë se 5.5 miliardë dollarë. Një partneritet të shkëlqyer po zhvillojmë aktualisht me Republikën e Koresë. Kohët e fundit ne kemi arritur në marrëveshje mbi mundësinë e shfrytëzimit të një itinerari të ri të transportit për realizimin e dërgimit të produkteve tona nëpërmjet Lindjes së Largët Ruse, ndërsa më saktë - nëpërmjet portit Vostoçnij.

0Ky itinerar në të ardhmen do të hapë rrugën për dërgesat e produkteve si në Kore ashtu dhe në Kinë. Për zhvillimin e energjisë bërthamore në vendet e tyre po mendojnë tani mjaft shtete të tjera të Azisë Jug-Lindore, prandaj ky opsion i realizimit të dërgesave është mjaft premtues.