0Çfarë do të thotë aktivizimi i bashkëpunimit ushtarak i Moskës me kundërshtarin e saj të mëparshëm potencial?

Për nga numri i luftanijeve flota ruse sot është shumë më inferiore se Flota Ushtarake Detare (FUD) e Bashkimit Sovjetik - një sasi shumë e madhe e njësive luftarake, si të vjetëruara ashtu edhe krejtësisht bashkëkohore në periudhën e viteve 1990-2000, u hoqën nga përdorimi pa asnjë zëvendësim.

Përbërja aktuale e Flotës ruse është e mjaftueshme për realizimin e "patrullimit antipirateri" në Gjirin e Adenit dhe për daljet periodike të luftanijeve me qëllim të demonstrimit të flamurit në rajonet kyçe të oqeanit. Por Rusia tani për tani nuk është në gjendje të mbajë bashkime të vazhdueshme njësish luftarake në zonat e interesave të saj jetike. Megjithatë, sot shumë detyra zgjidhen me sukses prej saj.

Stërvitjet e përbashkëta të FUD të Rusisë me flotat e vendeve të NATO-s dhe shteteve të tjera janë shndërruar në një nga format më të shpeshta të aktivitetit të saj. Pothuajse çdo herë analistët përpiqen të nxjerrin në bazë të këtyre stërvitjeve gjithfarë konkluzionesh në lidhje me drejtimin e politikës ruse.

Bashkë me këtë as "Northern Eagle", as RIMPAC-2012 i periudhës qershor-korrik në Oqeanin Paqësor dhe as manovrat e përbashkëta ushtarake me Kinën e Indinë nuk japin arsye të mjaftueshme për të konkluduar, se Rusia synon të përfshihet në këtë apo atë aleancë ushtarake.

Me siguri të plotë mund të flitet mbi pikësynimin e saj për të ndërtuar një aleancë efektive ushtarake vetëm në rastin e stërvitjeve ushtarake të Rusisë me shtetet anëtare të bllokut “Organizata e Traktatit për Sigurimin Kolektiv" (“Collective Security Treaty Organization”, CSTO), të kontrolluar nga Rusia. Drejtimi kryesor i këtyre stërvitjeve, në të cilat përpunohet para së gjithash dhe mbi të gjitha sistemi i komandimit të trupave ushtarake dhe vetëm pas kësaj gjithë të tjerat, flet mbi atë se Rusia e konsideron “Organizatën e Traktatit për Sigurimin Kolektiv" si një instrument ushtarak të destinuar për mbrojtjen e sigurisë së shteteve anëtare të kësaj organizate me përdorimin e forcës. Manovrat ushtarake me NATO, Kinën dhe vendet e tjera ndjekin një qëllim tjetër - shqyrtimin e mundësisë së veprimeve të përbashkëta në rast përputhjeje të interesave në rajonet kyçe.

Në veri një interes i tillë është, në veçanti, siguria e lundrimit dhe një nga momentet kyçe të "Northen Eagle" u bë pikërisht përpunimi i operacioneve të shpëtimit. Gjatë manovrave ushtarake të Rusisë dhe Norvegjisë u praktikua bashkëveprimi midis Qendrës koordinuese detare të shpëtimit të Murmanskut dhe Qendrës koordinuese norvegjeze të shpëtimit "Veriu" në qytetin Budø.

Stërvitje të tilla janë të dobishme sepse mundësojnë gjetjen e pikave të kontaktit me kundërshtarët e djeshëm potencialë - në rastin konkret interesat e Rusisë konsistojnë në mbajtjen e marrëdhënieve të partneritetit dhe mundësisht të atyre miqësore me lojtarët e tjerë kryesorë - qofshin ato NATO apo Kina, pa e lidhur veten me kurrfarë detyrimesh.

0Mund të thuhet me siguri të plotë se kjo politikë do të ndiqet edhe më tej nga Rusia: numri i stërvitjeve ushtarake dhe shtrirja e tyre gjeografike po vazhdojnë të rriten.