0Të gjithë pjesëmarrësit e konkursit të “stuhisë trunore” do të duhej të kalonin të ashtuquajturin test të Tjuringut (Turing Test). Ky matematicien britanik konsiderohet si themelues i teknikës kompjuterike. Ai ka shpikur një lojë imituese që të lejon të njohësh, se me cilin ke të bësh në bashkëbisedimin tënd, me makinën apo njeriun. Rregullat janë të thjeshta: ekzaminuesi bisedon me anonimët, të cilët i përgjigjen pyetjeve të tij. Sipas cilësisë së përgjigjeve që jepen përcaktohet edhe “mashtruesi i rremë”, pra programi kompjuterik. Sepse, siç dihet, shoqërimi për së gjalli (jo virtual) është një detyrë e parealizueshme për bashkëbiseduesin-robot.

Programet e para, që u testuan sipas testit të Tjuringut, i përkisnin më shumë botës së shakave dhe, si të thuash, e budallallepsnin njeriun, shpjegon për “Zërin e Rusisë” Mihaill Gorbunov-Posadov, Doktor i Shkencave të Fizikës dhe Matematikës, njëkohësisht drejtues i Departamentit të Institutit të Matematikës së Aplikuar, që mban emrin M.V.Keldish:

- Ata pyetën e stërpyetën, duke i zhvendosur dhe ngatërruar në një farë mënyre fjalët gjatë procesit të marrjes në pyetje. Dhe njeriu, që qëndronte në qoshen tjetër, vërtet mendonte se me të po kuvendonte një qënie plotësisht e arësyeshme. Sigurisht, që kjo përshtypje nuk mund ta kishte jetën të gjatë, por për një farë kohe ajo gjithësesi të mbizotëronte.

Sipas shkencëtarit në fjalë, ky program nuk zgjidhte asnjë detyrë serioze, por vetëm sa përpiqej që partnerit t’i ngjallte iluzione. Dhe nuk bën që gjithë kjo të quhet intelekt artificial. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se programimet në këtë drejtim janë të pakuptimta, vëren më tej ky specialist:

- Fakti, që po merren me gjëra të tilla, nuk është një punë e kotë. Kemi të bëjmë me një analizë të momenteve të ndryshme linguistike, morfologjike dhe sintaksore. Ligjërimi nga ana e makinës duhet të jetë i ndërtuar me kujdes shumë të madh, përndryshe njeriu nuk do ta pranonte atë si një partner. Që të dilet tek ky nivel duhet një punë e madhe, që nuk është pa bereqet, më saktë, punë që rezulton e dobishme në mjaft fusha.

Tani për tani, mundësitë e makinës janë të kufizuara. Por llogaritet, që, nëse ajo do arrijë “të gënjejë” njeriun gjatë përgjigjeve në 30% të pyetjeve, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një prani të intelektit artificial. Programi rus “Evgenij” ("Евгений") pati një rezultat prej 29,2% për 150 dialogjet zhvilluar me këtë rast. Kësisoj, nga shifra etalon ka mbetur më pak se 1%. Kjo e çoi skuadrën ruse të konkurrimit në fitore.

Programistët shprehin bindjen se falë këtyre programimeve, do të mund të bëhet realitet ajo që ëndërron njerëzimi mbarë: të mësojë kompjuterin të zbërthejë kuptimin e pyetjes së bërë, gjatë kërkimit të informacionit në rrjetin botëror informatik.